Familjarët e Erjon Bobës: Gjatë operimit në spitalin e Durrësit mungoi energjia elektrike
Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë pas gjashtë ditësh trajtimi në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, kanë zbuluar detaje shqetësuese lidhur me kushtet në Spitalin e Durrësit, ku adoleshenti u operua fillimisht pas plagosjes me thikë.
Sipas familjarëve, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Durrës, energjia elektrike u ndërpre, duke detyruar stafin mjekësor të ndërpresë operacionin dhe të kërkojë transferimin urgjent të pacientit drejt Tiranës. Ata theksojnë se kjo situatë, së bashku me mungesën e infrastrukturës spitalore, përfshirë mungesën e një ashensori për raste emergjence, kontribuan në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, mungonte energjia elektrike, prandaj e dërguan urgjent në Tiranë,” tha hallë e të ndjerit në një deklaratë për JOQ. “Gjendja e djalit u përkeqësua. Kjo ndodhi vërtet. Si në mesjetë. Operacion pa drita. Brenda pesë ditësh, askush nuk dha sqarime. Mjekët aty u përpoqën, por kushtet ishin fatale, madje nuk kishte as ashensor për emergjencat.”
Familjarët kërkojnë një hetim për neglizhencë dhe mungesë të kushteve bazë, duke akuzuar institucionet për heshtje dhe fshehje të së vërtetës.
Konflikti që çoi në vdekjen e Erjon Bobës ndodhi më 25 nëntor, jashtë shkollës ‘Dom Nikollë Kaçorri’ në Durrës. Sherri kishte filluar pas ofendimeve në rrjete sociale mes Bobës dhe një 14-vjeçari me inicialet M.K., dhe u përshkallëzua në një takim për sqarim pranë shkollës. Gjatë përplasjes, 14-vjeçari e plagosi rëndë bashkëmoshatarin e tij katër herë me thikë në gjoks, pranë zemrës. Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Durrësit, dhe më pas në QSUNT, ku pas disa ditësh në kujdes intensiv, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
