Bordi Mbikëqyrjes Publike, Anëtar Vëzhgues në CEAOB

Bordi i Mbikëqyrjes Publike integrohet në BE

Intervistë me Dritan Finon, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike

Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), autoriteti rregullator i pavarur me rol kryesor në sigurimin e cilësisë së auditimeve ligjore dhe shoqërive të auditimit për mbrojtjen e interesit publik, është miratuar anëtar vëzhgues në Komitetin e Autoriteteve Europiane të Mbikëqyrjes së Auditimit (CEAOB).

Dritan Fino, Kryetar i BMP, thekson se ky anëtarësim në CEAOB, duke e bërë BMP të vetmin në rajon me këtë status, është rezultat i disa faktorëve kryesorë. Këta përfshijnë zbatimin e reformave strategjike për përafrimin e ligjit të auditimit me kuadrin e BE-së, rritjen e pavarësisë institucionale dhe transparencës së mbikëqyrjes, si dhe implementimin e kërkesave të Direktivës dhe Rregullores së BE-së për sistemet e sigurimit të cilësisë dhe kontrollet përkatëse për auditimet e njësive ekonomike me interes publik. Gjithashtu, janë përmirësuar kuadri ligjor dhe rregullator, si dhe sistemi i investigimit dhe sanksionimit.

CEAOB është struktura më e lartë profesionale dhe rregullatore për auditimin brenda BE-së, e cila siguron zbatimin e njëtrajtshëm dhe efektiv të kërkesave të legjislacionit europian. Kryetari i CEAOB, z. Panos Prodromides, ka theksuar se pjesëmarrja si vëzhgues ofron një mekanizëm të strukturuar për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim teknik mes autoriteteve të mbikëqyrjes së auditimit. Për të fituar statusin e vëzhguesit, autoritetet duhet të përmbushin kritere të qarta, duke përfshirë demonstrimin e interesit legjitim, garantimin e pavarësisë së plotë nga profesioni i auditimit, konfirmimin e përfitimit të ndërsjellë nga bashkëpunimi dhe respektimin e detyrimeve të konfidencialitetit.

Z. Fino shprehet se ky status e vendos BMP krah autoriteteve homologe të BE-së dhe konfirmon se Shqipëria jo vetëm po përafron legjislacionin, por po bëhet pjesë e komunitetit europian të mbikëqyrjes.

Në një intervistë për “Monitor”, Dritan Fino flet për rëndësinë e mbikëqyrjes dhe transformimin e institucionit gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e projekteve të mbështetura nga Banka Botërore.

Cili është ndryshimi më i rëndësishëm në funksionimin e BMP që nga nisja e projektit SQARP?

Prej fillimit të reformave strategjike të mbështetura nga Banka Botërore, veçanërisht projekti “Strengthening Quality of Auditing and Reporting Project” (SQARP), BMP ka pësuar një transformim të thellë. Nga një organ kolegjial pa burime mbështetëse, është shndërruar në një rregullator modern dhe profesional, të krahasueshëm me autoritetet europiane të mbikëqyrjes. Ky transformim përfshin rritjen e kapaciteteve mbështetëse dhe profesionalizimin e proceseve, duke përfshirë metodologjinë e bazuar në rrezik, standardizimin e kontrolleve të sigurimit të cilësisë, forcimin e lidhjes mes gjetjeve dhe masave disiplinore, si dhe vizionin për transformimin digjital.

BMP ka harmonizuar proceset e mbikëqyrjes me Direktivën e Auditimit të BE-së, duke u pozicionuar si një institucion me kapacitete të plota mbikëqyrëse, i cili ushtron funksione profesionale në kontrolle, investigim dhe vendosje masash disiplinore. BMP udhëheq rajonin dhe konsiderohet një model referimi nga homologët e tij.

Zhvillimet në mbikëqyrje kanë sjellë një transformim të dukshëm edhe në tregun shqiptar të auditimit. Rezultatet e inspektimeve më të strukturuara, harmonizimi me Direktivën e BE-së dhe fuqizimi i sistemit të disiplinës kanë rritur standardet profesionale dhe ndërgjegjësimin brenda profesionit. Një tregues i qartë është rritja e volumit të honorarëve nga auditimi ligjor, nga 6.5 milionë euro në vitin 2018, në 14.88 milionë euro në vitin 2024. Kjo tregon se mbikëqyrja efektive është faktor kyç për rritjen e vlerës së shërbimeve profesionale, duke ndikuar pozitivisht në stabilitetin financiar dhe besimin e investitorëve.

Cilat janë arritjet kryesore në fushën e investigimit dhe marrjes së masave disiplinore?

BMP ka krijuar një sistem të ri inspektimesh në përputhje me praktikat më të mira europiane, duke zhvilluar metodologji të detajuara për kontrollet e sigurimit të cilësisë së auditimeve. Për sa i përket investigimit dhe masave disiplinore, është hartuar një kuadër rregullator për një vendimmarrje të drejtë dhe konsistente. Angazhimi si pjesë e grupit të punës për masat shtrënguese të IFIAR ka hapur derën për shkëmbim të drejtpërdrejtë të praktikave me autoritete mbikëqyrëse të vendeve më të zhvilluara.

Si ka ndikuar delegimi i procesit të inspektimeve të angazhimeve të auditimit ligjor të njësive jo me interes publik tek Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar?

Delegimi i kontrollit të sigurimit të cilësisë tek Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) ka rritur efikasitetin e mbikëqyrjes, por ka ende nevojë për forcimin e kapaciteteve të IEKA, përmirësimin e kualifikimit profesional dhe qeverisjes së organizatës. Ndërsa BMP fokusohet te njësitë me interes publik, delegimi i ka dhënë IEKA një rol më të konsoliduar në mbikëqyrjen e auditimeve të njësive jo me interes publik. Kjo qasje, e ngjashme me modelet e BE-së, ka kontribuar në ndryshimin e kulturës brenda profesionit dhe forcimin e besimit mes rregullatorit, organizatës profesionale dhe praktikuesve.

BMP dhe IEKA kanë nënshkruar marrëveshjen me ACCA – Association of Chartered Certified Accountants, si dëshmi e standardeve të larta të punës, besueshmërisë institucionale dhe vizionit të përbashkët.

Cilat janë sfidat që mbeten në zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik?

Pavarësisht progresit, lufta kundër informalitetit mbetet një sfidë, e cila është e natyrshme për një vend në proces integrimi. Sfida kryesore profesionale lidhen me kapacitetet teknike dhe specializimet e reja, si auditimi i sistemeve IT, raportimi i qëndrueshmërisë (ESG/CSRD), vlerësimi i instrumenteve financiare dhe auditimi i institucioneve financiare. Gjithashtu, ka nevojë për përmirësimin e kulturës së dokumentimit të punës nga ana e shumë audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit.

A ndikon përmirësimi i mbikëqyrjes në luftën kundër informalitetit dhe pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit?

Cilësia e auditimit dhe luftës kundër informalitetit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë fronte të përbashkëta që lidhin punën e institucioneve publike dhe mbikëqyrëse. Profesionistët kontabël vlerësohen si një hallkë e rëndësishme parandalimi. BMP ka dhënë kontributin e tij në dhënien e udhëzimeve mbi vlerësimin e rreziqeve dhe forcimin e kërkesave të pajtueshmërisë. BMP ka qenë aktiv në zbatimin e planit të veprimit për daljen e vendit nga “lista gri” dhe në vlerësimin kombëtar të riskut.

Si e shihni rolin e BMP në përputhje me Direktivën e Auditimit të BE dhe integrimin në rrjetin e CEAOB?

Forcimi i rolit të BMP gjatë viteve të fundit është një nga historitë më të rëndësishme të konsolidimit institucional në Shqipëri. BMP ka ndërtuar themelet e një autoriteti modern mbikëqyrës, të pavarur, të standardizuar dhe të orientuar nga rreziku. Miratimi si anëtar vëzhgues në CEAOB është një nga sukseset më të rëndësishme për BMP dhe për Shqipërinë. Ky status e vendos BMP krah autoriteteve homologe të BE-së dhe konfirmon se Shqipëria po bëhet realisht pjesë e komunitetit europian të mbikëqyrjes.

Statusi i vëzhguesit, i miratuar në Nëntor 2025, ofron një platformë të vlefshme për shkëmbimin e perspektivave mbikëqyrëse dhe nxitjen e përputhjes me praktikat europiane. Ky angazhim i shtuar do të kontribuojë në një mjedis më koherent, transparent dhe adaptueshëm të raportimit financiar në të gjithë rajonin.

Scroll to Top