Mbikëqyrja e auditimit në Shqipëri: Sukseset dhe mbështetja

Mbikëqyrja e auditimit është jetike për tregun financiar

Intervistë me Philipp Arnold, Zëvendësshef i Misionit, Ambasada Zvicerane në Shqipëri.

Raportimi financiar funksionon vetëm kur auditi kryhet në mënyrë të pavarur dhe të besueshme. Për këtë arsye, mbikëqyrja e auditimit është një hallkë thelbësore për tregun dhe institucionet financiare. Forcimi i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) është vlerësuar si një nga elementet më të rëndësishme të reformës së raportimit financiar në Shqipëri.

Në intervistë, z. Philipp Arnold nga Ambasada Zvicerane shpjegon rolin e këtij institucioni dhe arsyen pse mbështetja e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) është fokusuar pikërisht te ky segment kyç i sistemit.

SECO ka mbështetur reformën e përgjithshme të raportimit financiar në Shqipëri, duke përfshirë përmirësimet në standardet e kontabilitetit, raportimin në sektorin publik dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Pse forcimi i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) u konsiderua si një nga fushat më të rëndësishme të ndërhyrjes, krahasuar me komponentët e tjerë të reformës?

Shqipëria nisi reformimin dhe modernizimin e raportimit financiar të korporatave në vitin 2009, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të Qeverisë Zvicerane (nga viti 2011). Që prej asaj kohe, SECO ka mbështetur një gamë të gjerë reformash në fushën e raportimit financiar në vend. Forcimi i Bordit të Mbikëqyrjes Publike ka qenë një nga arritjet më të rëndësishme, sepse ky institucion luan një rol qendror dhe sistemik në garantimin e besueshmërisë së të gjithë ekosistemit të raportimit financiar.

Mund të përmirësosh standardet e kontabilitetit, të trajnosh profesionistët dhe të modernizosh kornizat e raportimit — por pa një organ mbikëqyrës të fortë dhe të pavarur, këto reforma nuk përkthehen në informacion financiar të besueshëm. BMP është institucioni që siguron që auditorët të ushtrojnë punën e tyre me integritet, cilësi dhe pavarësi. Në thelb, ai është garantuesi i besimit të publikut.

Sipas nesh, një sistem auditimi me cilësi të lartë është “pika e fundit e kontrollit” që vërteton informacionin financiar të përdorur nga investitorët, rregullatorët dhe publiku. Për këtë arsye, SECO e ka konsideruar BMP-në si një prioritet strategjik brenda reformës së gjerë, pasi forcimi i tij prodhon ndikimin më të madh në të gjithë sistemin, duke shumëfishuar efektin e të gjitha reformave të tjera.

Sot, stafi i BMP-së është i pajisur me njohuritë dhe instrumentet e nevojshme, përfshirë mjetet digjitale (e-tools), çka i mundëson që të kryejë në mënyrë të kënaqshme detyrat e kërkuara nga legjislacioni i ri dhe standardet e BE-së në fushën e hartimit të standardeve, monitorimit dhe mbikëqyrjes së auditimit.

Si e vlerësoni progresin që ka bërë Shqipëria drejt ndërtimit të një sistemi të besueshëm të mbikëqyrjes së auditimit?

Në fushën e mbikëqyrjes së auditimit është e rëndësishme të pranohet se tashmë është vendosur një themel institucional funksional dhe mekanizmat kryesorë janë funksionalë. Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit në këtë drejtim. Aktualisht ekziston një moment i favorshëm për të ecur edhe më tej, i shtyrë nga axhenda ambicioze e Qeverisë dhe e Komisionit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Është shumë e rëndësishme që ky impuls të shfrytëzohet për të çuar më tej reformat.

Në këtë fushë specifike, përparimi drejt përafrimit me standardet dhe rregullat e BE-së ka vijuar, përfshirë ndryshimet e ligjit për Auditimin në fund të vitit të kaluar, por ende mbetet punë për të bërë. Me mjedisin që po evoluon, institucionet dhe profesionet duhet të vazhdojnë të ndërtojnë kapacitetet dhe të përgjigjen ndaj sfidave të reja, si kërkesat e reja për raportimin e qëndrueshmërisë apo çështjet e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore.

Sa e sigurt është SECO që reformat e ndërmarra do të jenë të qëndrueshme edhe pas përfundimit të projektit?

SECO është e bindur se reforma e raportimit financiar të korporatave në Shqipëri do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve në vijim, me qëllim që vendi të ruajë një sistem plotësisht funksional të raportimit financiar, i cili përshtatet me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Korniza institucionale tashmë është më e fortë, kapacitetet e aktorëve kryesorë janë rritur ndjeshëm dhe kuadri i përditësuar ligjor ofron garanci solide për vijimësinë e funksioneve të mbikëqyrjes publike.

Për më tepër, projekti aktual i financuar nga SECO po përgatit një strategji të plotë dalëse, e cila identifikon boshllëqet që mbeten dhe përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për periudhën pas përfundimit të projektit. Kjo qasje siguron që reformat të jenë të konsoliduara dhe ndikimi i tyre të vazhdojë edhe shumë pas përfundimit të projektit.

A parashikon SECO mbështetje të mëtejshme për reformat e menaxhimit të financave publike në Shqipëri?

Mbështetja për raportimin financiar të korporatave në Shqipëri po vijon përmes një programi rajonal të bashkëfinancuar nga Zvicra dhe Austria, EAASURE (Enhancing Accounting, Auditing and Sustainability Reporting). Paralelisht, SECO vazhdon të mbështesë reformat e menaxhimit të financave publike në vend, përfshirë zbatimin në vijim të Standardëve Ndërkombëtarë të Kontabilitetit në Sektorin Publik (IPSAS), që mbetet një prioritet kyç për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.

Çdo angazhim i ardhshëm do të harmonizohet ngushtësisht me prioritetet kombëtare dhe do të koordinohet me Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera përgjegjëse, për të garantuar efektin më të madh dhe qëndrueshmërinë e mbështetjes.

Tags: Auditim

Scroll to Top