Dështoi të merrte Nobelin, Trump merr “Çmimin e Paqes” nga FIFA
Donald Trump është nderuar me një çmim të ri për paqen nga FIFA gjatë shortit të Kupës së Botës. Organizata drejtuese e futbollit botëror, e cila shpalli krijimin e këtij çmimi vjetor muajin e kaluar, ka deklaruar se ai do t’u jepet “individëve që kanë ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme dhe të pazakonta për paqen”.
Trump ka kërkuar prej kohësh një Çmim Nobel për Paqen për angazhimin e tij në zgjidhjen e konflikteve globale, përfshirë armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe Hamasit në tetor. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me ish-presidentin amerikan, e ka mbështetur atë për Çmimin Nobel më herët gjatë vitit.
Infantino i dorëzoi Trump-it një trofe të madh të artë, të formuar nga duar që mbajnë globin, si dhe një medalje ari, të cilën ai tashmë e mbante në qafë.
Gjatë fjalës së tij në shortin e Kupës së Botës 2026, Donald Trump deklaroi se ky ishte “një nga nderet më të mëdha të jetës sime”. Ai shtoi:
“Ne shpëtuam miliona jetë. Kongo është një shembull, ku 10 milionë njerëz kishin vdekur dhe shumë shpejt po shkonin drejt shifrës 10 milionë të tjerë. Po ashtu edhe me Indinë dhe Pakistanin, ne ndaluam luftëra që ishin gati të shpërthenin. Gianni ka bërë një punë të jashtëzakonshme, keni vendosur rekord të ri në shitjen e biletave. Është një tribut i bukur për ju dhe për lojën e futbollit, ose siç e quajmë ne, soccer. Shifrat janë përtej asaj që mendonim se ishte e mundur”.
Më tej, Trump theksoi: “Bota tani është një vend më i sigurt. SHBA nuk po kalonte një periudhë të mirë një vit më parë, ndërsa tani jemi vendi më ‘i nxehtë’ në botë”.
