Shqipëria në Vëndnumëro: Punësimi dhe Pagat Reale pritet të Bien deri në Vitin 2030
Punësimi dhe të ardhurat nga puna në Shqipëri pritet të jenë nën presion dhe me tendencë rënëse në vitet e ardhshme. Kjo, sipas një studimi global të Bankës Botërore mbi “Ndikimin e Klimës në Punësim”, i atribuohet zhvillimeve strukturore në ekonomi dhe popullsi.
Të dhënat tregojnë se punësimi në Shqipëri do të qëndrojë në vëndnumëro deri në vitin 2030, ndërsa të ardhurat nga puna pritet të bien me 0.1%. Analiza thekson se ekonomia shqiptare nuk arrin të krijojë mjaftueshëm vende të reja pune për të përballuar presionet strukturore, të tilla si:
- Plakja e popullsisë
- Rritja e emigracionit
- Ngadalësimi i produktivitetit
Projeksioni i Bankës Botërore tregon se, edhe në mungesë të krizave të mëdha, tregu i punës në vend mbetet i brishtë dhe i ekspozuar ndaj reformave të papërfunduara, veçanërisht në sektorët e arsimit dhe teknologjisë.
Ndikimi në të ardhurat nga puna është më i theksuar. Shqipëria regjistron një rënie rreth 0.1% deri në vitin 2030. Ky sinjalizon se pagat reale dhe të ardhurat nga puna pritet të mbeten të nënshtruara ndaj presioneve të produktivitetit të ulët dhe kërkesës së ngadalësuar për fuqi punëtore.
Ekonomitë si ajo e Shqipërisë varen shumë nga sektorët me vlerë të shtuar të ulët dhe ku informaliteti është i lartë. Projeksionet e Bankës tregojnë se të ardhurat e familjeve mund të rriten më ngadalë se sa pritet, ose edhe të pësojnë rënie, duke shtuar kështu presionet sociale dhe duke nxitur më tej emigracionin.
Krahasuar me vende të tjera me kushte zhvillimi të ngjashme, Shqipëria pozicionohet në segmentin e atyre që pritet të përjetojnë luhatje të lehta. Megjithatë, fakti që as punësimi dhe as të ardhurat nuk projektohen të rriten, sinjalizon se ekonomia nuk arrin të përfitojë nga reformat transformuese që mund të gjeneronin fitime të reja të produktivitetit.
Analiza e Bankës Botërore tregon se ekonomia shqiptare do të ecë me një ritëm të ngadaltë deri në vitin 2030. Ndërkohë që nuk parashikohen rënie dramatike, mungon dinamizmi i nevojshëm për të përmirësuar standardet e jetesës.
Si një vend me nivele të larta emigracioni, Banka Botërore sugjeron reforma që të mund të rrisin produktivitetin e punës dhe të sigurojnë një shpërndarje më të drejtë të vlerës së shtuar në ekonomi. Të gjitha këto reforma duhet të kenë kapitalin njerëzor në fokus.
