Moti sot: Kushte të paqëndrueshme me reshje shiu
Të shtunën, vendi ynë do të jetë në ndikim të masave ajrore të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura.
Do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët gjatë orëve të para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa lokalisht mund të jenë deri mesatare. Pas orëve të mëngjesit, reshjet e shiut do të humbasin gradualisht intensitet dhe do të lokalizohen vetëm përgjatë reliefeve malore të vendit, me intensitet të ulët deri në orët e mbrëmjes.
Era do të fryjë nga kuadranti verior, me shpejtësi mesatare deri në 8 metra/sekondë. Në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare, era do të arrijë shpejtësi deri në 18 metra/sekondë.
Deti: Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2-4 ballë.
