Mat, shtëpia shembet, familja Gjini mbetet pa strehë
Reshjet e pak ditëve më parë kanë shkaktuar probleme të shumta në Bashkinë e Matit. Rrëshqitjet e dheut kanë vënë në rrezik jetën e dy familjeve në fshatin Fushë-Baz.
Dhjetë anëtarë të familjes Gjini kanë mbetur pa banesë për shkak të rrëshqitjes së tokës. Toka përreth banesës ka pësuar çarje të mëdha dhe vazhdon të rrëshqasë.
E zonja e shtëpisë, Flora Gjini, tregon momentet e tmerrit kur banesa u shemb. Ajo shpjegon se të gjithë pjesëtarët e familjes ishin brenda në momentin e ngjarjes dhe arritën të dilnin jashtë menjëherë.
Flora Gjini thotë se ka marrë ndihmë të menjëhershme nga Bashkia e Matit. Janë dërguar dy çadra dhe një mjet për përgatitjen e një hapësire ku do të vendosen dy kontejnerë. Familjes i është ofruar edhe strehim në qytetin e Burrelit, por ata e kanë refuzuar për shkak të bagëtive.
Megjithatë, Flora u bën thirrje shoqatave dhe bizneseve për ndihmë në këto ditë të vështira.
Specialistët e Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Mat kanë urdhëruar familjen Gjini të mos qëndrojë në pjesën e banesës që ende nuk është shembur, për shkak të rrezikut të lartë.
