“`html
SPAK sqaron dosjen e kryebashkiakut të Tiranës: Erion Veliaj ka marrë aktet, 8 seanca janë shtyrë për shkak të mbrojtjes dhe mungesave të pajustifikuara
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë një sqarim zyrtar lidhur me disa rrethana procedurale të gjykimit të çështjes penale numër 27/2024, në ngarkim të të pandehurit Erion Veliaj dhe personave të tjerë të përfshirë.
Sipas SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi më 29 shtator 2025, seancën e parë të gjykimit paraprak të Veliajt. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyrë 8 seanca gjyqësore. Prokuroria e Posaçme argumenton se shtyrja e seancave është bërë për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale.
Lidhur me pretendimet e përsëritura të Erion Veliajt për mungesën e njohjes me aktet e procedimit penal, SPAK thekson se atij i janë vënë në dispozicion të gjitha kopjet e tyre. Mësohet se njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj, më datë 24 korrik 2025, pa asnjë shpenzim, ka marrë një kopje të akteve të procedimit penal. Ky fakt është dokumentuar me procesverbal përkatës të datës 24 korrik 2025, të nënshkruar nga njëri prej avokatëve.
Jo vetëm kaq, por më datë 10 tetor 2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24 korrik 2025 deri në muajin shtator 2025, të cilën më pas ai e ka marrë.
Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se: “më datë 23 korrik 2025 janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal”, njofton SPAK.
Prokuroria e Posaçme sqaron se procedura vijuese dhe ndërveprimi mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies mes tyre dhe në asnjë rast nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj. Prokuroria e Posaçme vazhdon të zbatojë ligjin dhe të sigurojë një proces gjyqësor të rregullt dhe transparent.
Shënim për gazetarët: Parashikimet dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale rregullojnë afatin 30 ditor të vendimmarrjes të gjykatës mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
“`
