Sulm me dron në Sudan: 50 viktima, mes tyre 33 fëmijë

Sulm me dronë e raketa në një çerdhe, humbin jetën 50 persona, mes tyre 33 fëmijë

Një sulm me dron në qytetin Kalogi, në rajonin e Kordofanit Jugor të Sudanit, ka goditur një çerdhe duke shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave, mes tyre 33 fëmijë.

Ky lajm u bë i ditur nga Rrjeti i Mjekëve të Sudanit dhe ushtria sudaneze, të cilët akuzuan Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për përgjegjësinë e sulmit të ndodhur të enjten.

Deri më tani, RSF nuk ka dhënë një reagim zyrtar për akuzat.

Ndërkohë, vetë grupi paramilitar ka akuzuar ushtrinë sudaneze për një sulm të ndodhur të premten, i cili goditi një treg dhe një depozitë karburanti në pikën kufitare Adre me Çadin, në rajonin e Darfurit. Sipas tyre, kjo zonë shërbente për shpërndarjen e ndihmave dhe furnizimeve tregtare.

Që prej prillit 2023, Sudani është përfshirë në një konflikt të dhunshëm për pushtet mes ushtrisë dhe RSF-së, dy palë të cilat më parë kanë qenë aleate.

Rrejonet e Kordofanit – Kordofani i Veriut, Jugut dhe Perëndimit – të cilat shtrihen mes kryeqytetit Khartum dhe Darfurit, janë kthyer në një vijë të përparuar të konfliktit.

Betejat janë ashpërsuar ndërsa ushtria përpiqet të avancojë drejt Darfurit, duke vënë në rrezik popullsinë prej rreth tetë milionë banorësh.

Scroll to Top