“Dua të të shoh një herë të fundit para se të vdes” – lutja dramatike e Thomas Markle për vajzën e tij Meghan
Thomas Markle, 81 vjeç, babai i Dukeshës së Sussex, po përballet me tragjedinë më të madhe të jetës së tij. Pas një përkeqësimi të menjëhershëm të shëndetit, ai iu desh t’i nënshtrohej një amputimi të këmbës së majtë poshtë gjurit. Operacioni, i përshkruar si “jetë a vdekje” nga mjekët, u krye në spitalin ku ai po trajtohet në Filipine.
Nga shtrati i spitalit në Cebu, Thomas Markle iu drejtua vajzës së tij, Meghan Markle, me fjalë prekëse: “Dua të të shoh për herë të fundit para se të vdes”. Ai shprehu gjithashtu dëshirën e tij për të takuar dhëndrin, Princin Harry, dhe nipërit, Archie (gjashtë vjeç) dhe Lilibet (katër vjeç).
Marrëdhënia e tyre ka mbetur e tendosur që nga dasma e Meghan dhe Harry-t në vitin 2018. Thomas Markle tha se kurrë nuk e ndryshoi numrin e telefonit, me shpresën që vajza e tij ta kontaktonte. Megjithatë, ai nuk ka marrë asnjë mesazh prej saj kohët e fundit.
Pavarësisht thashethemeve se Meghan po përpiqej të kontaktonte, spitali konfirmoi se nuk kishte pasur asnjë telefonatë ose komunikim nga Dukesha ose stafi i saj. Emaili i dërguar ishte drejtuar në një adresë që Thomas Markle nuk e përdor prej vitesh.
Gjendja e tij shëndetësore ishte serioze. Ai dhe mjekët raportuan se një mpiksje gjaku në kofshë i kishte ndërprerë qarkullimin e gjakut në këmbë, duke bërë që këmba t’i merrte ngjyrë blu dhe jeta e tij të ishte në rrezik nga infeksioni. Operacioni zgjati tre orë dhe përfshiu amputimin dhe heqjen e mpiksjes. Mjekët paralajmëruan se çdo vonesë mund të kishte qenë fatale, pasi infeksioni mund të ishte përhapur në zemër dhe organe të tjera.
Pavarësisht gjendjes kritike, Thomas Markle ruan sensin e humorit dhe optimizmin. “Doja të humbisja peshë, por nuk e imagjinoja kështu”, bëri shaka ai duke parë këmbën e amputuar. Ai përsëriti dëshirën për t’u rilidhur me vajzën e tij: “Nuk dua të vdes pa e takuar Meghan. Dua të takoj nipërit e mi dhe ndoshta dhëndrin tim”.
