Hamasi: Jemi të gatshëm t’ia dorëzojmë armët Autoritetit Palestinez, me kusht përfundimin e pushtimit izraelit
Hamasi deklaroi të dielën se është i gatshëm t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës, me kusht që ushtria izraelite t’i japë fund pushtimit të territorit.
Lajmin e bëri të ditur kryenegociatori i Hamasit dhe udhëheqësi politik i Gazës, Khalil al-Hayya. “Armët tona janë të lidhura me ekzistencën e pushtimit dhe agresionit,” tha Hayya në një deklaratë, duke shtuar se “nëse pushtimi përfundon, këto armë do të vendosen nën autoritetin e shtetit.”
Zyra e tij sqaroi për AFP se Hayya i referohej një shteti palestinez sovran dhe të pavarur, të cilin Hamasi thotë se do ta pranonte si strukturë legjitime për administrimin e sigurisë.
Hayya gjithashtu tha se Hamasi pranon vendosjen e forcave të OKB-së në Gaza, të cilat do të ngarkoheshin me monitorimin e kufijve dhe garantimin e pajtueshmërisë me një armëpushim të mundshëm.
Megjithatë, ai theksoi se grupi kundërshton kategorikisht çdo forcë ndërkombëtare me mandat për ta çarmatosur Hamasi-n ose për të administruar territorin.
