Arrestohet hajduti i makinave në Tiranë pas operacionit “The thief”

PAMJE: Vodhte sende nga automjetet pasi thyente xhamat, arrestohet i riu në Tiranë

Policia e Tiranës njoftoi një operacion të Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku ka vënë në pranga një person të dyshuar për vjedhjen e sendeve nga automjetet. Pas marrjes së denoncimeve nga disa drejtues automjetesh, të cilët kishin humbur materiale dhe sende me vlerë nga makinat e tyre apo nga subjekte, policia u aktivizua duke organizuar operacionin e koduar policor “The thief”.

Në pranga përfunduan Geraldo Zeneli, 34 vjeç, dhe Gëzim Cani, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Hetimet kanë zbuluar se 34-vjeçari, gjatë muajve korrik, tetor dhe nëntor, ka vjedhur materiale dhe sende të ndryshme nga 5 automjete dhe 1 subjekt, duke u thyer xhamat, në lagje të ndryshme të qytetit. Këto sende më pas ia shiste shtetasit Gëzim Cani. Gjithashtu, më datat 20 dhe 29 nëntor, Zeneli ka vjedhur 2 biçikleta.

Në videon e bashkangjitur, dëgjohet se gjatë momentit të arrestimit, i riu i drejtohet efektivëve të policisë që e filmojnë: “Do na nxirrni te lajmet sot?”

“Gjatë kontrollit të banesës së 48-vjeçarit, shërbimet e Policisë sekuestruan disa prej materialeve të vjedhura. Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 34-vjeçari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Scroll to Top