Arrestohet 17-vjeçari për atentatin në Shkodër me 2 viktima

Atentati me dy viktima në Shkodër, arrestohet 17-vjeçari

Policia ka arrestuar një 17-vjeçar të shpallur në kërkim, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në atentatin e ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës më 8 shtator. I arrestuari është Danjel Ndreu.

Nga ky atentat humbën jetën Liridon Kraja dhe Armando Pali, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Brajoviç dhe kamarierja Meri Kaceri.

17-vjeçari u arrestua nga policia gjatë një kontrolli rutinë, ku iu gjetën disa doza lëndë narkotike, kokainë. Ndreu ishte shpallur në kërkim edhe për vjedhjen e një motorri në muajin gusht.

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç.

Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç, dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri.

Scroll to Top