Macron kërcënon Kinën me tarifa për shkak të suficitit tregtar me BE-në
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar Kinën për vendosjen e tarifave në muajt e ardhshëm nëse Pekini nuk ndërmerr hapa për të reduktuar suficitin e saj masiv tregtar me Bashkimin Evropian. Deklarata u bë publike të dielën, më 7 dhjetor, pas një vizite shtetërore të Macron në Kinë.
“U shpjegova se nëse nuk reagojnë, ne evropianët do të detyrohemi të marrim masa të forta në muajt e ardhshëm”, u shpreh Macron për të përditshmen e biznesit Les Echos. Ai shtoi se masa të tilla mund të jenë të ngjashme me ato të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, siç janë tarifat mbi produktet kineze.
Deficiti tregtar i BE-së me Kinën, ekonomia e dytë më e madhe në botë, kaloi 300 miliardë euro në vitin 2024. Megjithëse vendet anëtare të BE-së nuk mund të vendosin individualisht politika tregtare, siç janë tarifat, ato përfaqësohen nga Komisioni Evropian në këtë çështje.
Macron pranoi se arritja e një konsensusi mes 27 vendeve anëtare për tarifat ndaj Kinës është një sfidë, duke përmendur si shembull Gjermaninë, e cila, për shkak të lidhjeve të saj të forta me Kinën, nuk është plotësisht në përputhje me qëndrimin francez.
“Kina synon të dëmtojë thelbin e modelit industrial dhe inovativ evropian, i cili historikisht është mbështetur te makineritë dhe automjetet”, deklaroi Macron.
Ai vuri në dukje se politikat proteksioniste të SHBA-së, të cilat vendosën tarifa të konsiderueshme ndaj produkteve kineze, kanë përkeqësuar situatën për BE-në. Kina po ridrejtonte masivisht produktet e destinuara për Amerikën drejt Evropës. “Ne jemi bllokuar në mes sot”, theksoi Macron, duke e cilësuar situatën si “çështje jete a vdekjeje për industrinë evropiane”.
Gjatë vizitës së tij në Kinë, Macron theksoi nevojën që BE-ja të pranojë më shumë investime direkte kineze si pjesë e përpjekjeve për të ulur deficitin tregtar. “Nuk mund të importojmë gjithmonë, kompanitë kineze duhet të vijnë në Evropë”, u shpreh ai, por shtoi se bizneset kineze nuk duhet të lejohen të operojnë si “grabitqarë” me “objektiva hegjemonike”.
Ai bëri thirrje për një kombinim të mbrojtjes së sektorëve më të prekshëm të BE-së, si industria e makinave, me një nxitje të konkurrueshmërisë.
