Shqiptari arratiset nga burgu italian për herë të katërt

Shqiptari habit autoritetet italiane, arratiset për herë të katërt nga burgu

Edhe pse dënimin e ka të vlefshëm deri në vitin 2048, Taulant Toma, 41-vjeçar shqiptar, ka vendosur të “nxitojë” lirimin e tij. Që prej mëngjesit të së dielës, ai është në kërkim kudo në zonën e burgut të sigurisë së lartë të Operas në Milano.

Toma, i cili ka precedentë penalë për grabitje, vjedhje dhe trafik droge, njihet si një person me aftësi të veçanta në arratisje. Alarmimi u bë në orën 08:00 të mëngjesit, kur gjatë një kontrolli rutinë, rojet nuk e gjetën në qelinë e tij.

Sipas hetimeve paraprake, Taulanti ka prerë hekurat e dritares së qelisë dhe është ngjitur në oborrin e brendshëm. Më pas ka kapërcyer murin rrethues dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar me detaje lëvizjet e tij dhe për të zbuluar vendndodhjen e tij aktuale.

Kjo është arratisja e katërt në “karrierën” e tij, megjithëse në të gjitha rastet është kapur. Arratisja e fundit më parë daton në vitin 2013, kur u largua nga burgu i Parmës së bashku me një tjetër të burgosur. Ai u arrestua në Belgjikë, por arriti të arratisej sërish disa muaj më vonë, deri në kapjen e tij në vitin 2015. Arratisja e tij e parë u zhvillua në tetor 2009 nga burgu i Ternit, ndërsa u kap në fund të dhjetorit në një shtëpi fshati në provincën e Pavias.

Scroll to Top