Kryeministri gjerman Friedrich Merz në Tel Aviv: Përballemi me perandorinë e së keqes nga Teherani
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka filluar vizitën e tij të parë në Izrael që nga marrja e detyrës. Ai mbërriti në Tel Aviv mbrëmjen e së shtunës, më 6 dhjetor.
Vizita vjen pas thirrjeve të fundit drejtuar presidentit palestinez Mahmud Abbas, të cilit Merz i kërkoi të ndërmarrë “reforma të menjëhershme dhe të domosdoshme”. Synimi është që Autoriteti Palestinez të ketë një rol aktiv në Gaza pas përfundimit të luftimeve.
Merz është takuar tashmë me presidentin izraelit Isaac Herzog në Jerusalem. Sot, ai pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Presidenti Herzog theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë, duke përmendur instalimin e sistemeve Arrow 3 në Gjermani për mbrojtjen e Evropës, si produkt i teknologjisë izraelite. Ai shtoi se Gjermania luan një rol të rëndësishëm në krijimin e një “perspektive të re” për izraelitët, palestinezët dhe rajonin.
“Siç e dimë, përballemi me një perandori të së keqes që vjen nga Teherani, dhe për këtë arsye ekuilibri botëror është shumë i qartë. Ne mbrojmë Evropën dhe po punojmë pa pushim për të përgatitur ditën pasuese për Gazën,” deklaroi Herzog.
Nga ana e tij, Merz u shpreh: “Nuk mund të takoheshim në një moment më të vështirë dhe kompleks. E dini që Gjermania qëndron fort në krah të Izraelit, sidomos pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor 2023.”
“Që atëherë kemi arritur të thellojmë dhe të forcojmë akoma më shumë miqësinë tonë, dhe e dini se do të jemi gjithmonë në krahun e Izraelit. Kjo miqësi, për ne, vazhdon të jetë një mrekulli,” shtoi ai.
Vizita e Merz në Izrael vjen pas ndalesës së tij në Akaba të Jordanisë, ku u takua me mbretin Abdullah II. Në aeroportin Ben Gurion, ai u prit nga ministri izraelit i Jashtëm, Gideon Sa’ar, i cili e quajti atë “mik të Izraelit” dhe nënvizoi rolin vendimtar të Gjermanisë si partner strategjik.
