Incident i rëndë në Portin e Durrësit, 24-vjeçari humb jetën në bord
Një incident fatal është regjistruar pak kohë më parë në Portin e Durrësit, ku një 24-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga rryma elektrike gjatë punimeve në bord.
Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima është Avaz Yafarov, 24 vjeç, me kombësi nga Azerbajxhani dhe pjesë e ekuipazhit të anijes “Kyebele”. Anija ishte e akostuar në kalatën numër 2 dhe po kryente procesin e shkarkimit të ngarkesës me grurë.
Pavarësisht ndihmës së dhënë menjëherë nga ekuipazhi dhe shërbimet portuale, jeta e të riut nuk mundi të shpëtohej.
Njoftimi i policisë:
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 17:50, është transportuar për në urgjencën e Spitalit Durrës shtetasi nga Azerbajxhani, J. A., 24 vjeç, marinar në një anije me flamur të shtetit të Panamasë. Viktima ka ndërruar jetë gjatë transportit.
24-vjeçari, duke punuar në anije, dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
