Financimi i borxhit publik, rritet pesha e bankave dhe institucioneve financiare
Bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë rritur më tej peshën e tyre në strukturën e financimit të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të nëntëmujorit 2025, bankat zotëronin gjithsej 65.3% të stokut të borxhit të brendshëm, duke përfshirë edhe pjesën e mbajtur nga klientët e tyre. Kjo shifër është më e lartë se 64% që mbanin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në të njëjtën kohë, edhe institucionet e tjera financiare kanë rritur peshën e tyre në 14.5% të totalit, nga 14.1% një vit më parë. Kjo rritje mund të shpjegohet me ecurinë e përgjithshme të mirë të sektorit financiar në të gjitha segmentet. Depozitat bankare kanë vijuar rritjen me ritme të mira gjatë vitit 2025, duke zgjeruar mundësitë e bankave për të investuar në asete të reja financiare, përfshirë letrat me vlerë të borxhit të qeverisë.
Gjatë vitit 2025, është vërejtur gjithashtu një përmirësim i ndjeshëm në segmentet e tjera të tregut financiar, veçanërisht në fondet e investimit. Pas goditjes nga rritja e shpejtë e yield-eve në vitin 2022, këto institucione janë kthyer gradualisht në rritje dhe kanë zgjeruar asetet dhe investitorët e tyre.
Edhe fondet e pensionit dhe kompanitë e sigurimeve kanë shfaqur një performancë të mirë në vitet e fundit, duke e konsideruar titujt e qeverisë shqiptare si një nga instrumentet ku investojnë likuiditetet e tyre.
Nga ana tjetër, pesha e individëve, bizneseve dhe Bankës së Shqipërisë në borxhin e brendshëm ka pësuar një rënie të lehtë. Individët, në fund të nëntëmujorit 2025, zotëronin direkt 9.38% të borxhit të brendshëm publik, nga 11.2% një vit më parë. Ulja e pjesës së mbajtur nga individët lidhet kryesisht me tendencën në rënie të yield-eve.
Këtë vit, yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë kanë rënë më tej, duke ndjekur lëvizjet e politikës monetare të Bankës Qendrore dhe duke reflektuar gjendjen e shëndetshme dhe likuide të sektorit financiar në vend. Kjo rënie ka zvogëluar interesin e individëve për të investuar në këto instrumente.
Individët janë shfaqur të ndjeshëm ndaj ecurisë së yield-eve vitet e fundit. Rritja e shpejtë e tyre në vitin 2022 solli një zgjerim të investimeve individuale, por me rënien graduale gjatë viteve 2023 dhe 2024, edhe investimet e individëve filluan të bien.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për nëntëmujorin 2025, individët investuan 19.3 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, një rënie prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i transaksioneve gjithashtu ka rënë, duke zbritur në 5857, me një ulje vjetore prej 24.8%.
Rënia është vërejtur si te bonot, ashtu edhe te obligacionet. Vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 14.9 miliardë lekë (rënie vjetore 16.6%), ndërsa investimi në obligacione arriti në 4.4 miliardë lekë, 17% më pak krahasuar me nëntëmujorin 2024.
Pjesa e borxhit të brendshëm e mbajtur nga Banka e Shqipërisë ka rënë në 7.25%, nga rreth 8% një vit më parë. Kjo mund të lidhet pjesërisht me zhvendosjen e borxhit të brendshëm drejt afateve më të gjata të maturimit. Banka e Shqipërisë investon kryesisht në bono thesari me maturim deri në një vit, ndërsa Ministria e Financave po zgjat afatin mesatar të maturimit të borxhit, duke mbështetur më shumë huamarrjen e re në obligacione.
