Netanyahu: Izraeli më i fortë se kurrë, komunikon me Putinin

Netanyahu: Izraeli është më i fuqishëm se kurrë, komunikoj rregullisht me Putinin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ditën e sotme, gjatë një fjalimi në parlament, ka mbrojtur pozitat ndërkombëtare të vendit, duke refuzuar kritikat e opozitës. Ai theksoi se mban një “komunikim të vazhdueshëm” me presidentin rus Vladimir Putin “për të mbrojtur interesat jetike” të Izraelit dhe shtoi se vendi është “më i fuqishëm se kurrë”.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se pozita ndërkombëtare e Izraelit është dobësuar në mes të luftës në Gaza, Netanyahu nënvizoi para Knesetit se “Izraeli është fuqia më e fortë në Lindjen e Mesme”. Ai filloi fjalimin e tij duke kritikuar titullin e debatit, duke thënë: “Cila është kjo ‘rënie e supozuar’? Ata që mbështesin këtë, janë të shkëputur nga realiteti.”

Lidhur me kontaktet ndërkombëtare, Netanyahu theksoi se “shumë shtete dhe liderë botërorë po na kërkojnë”, duke nënvizuar gjithashtu se ende ekzistojnë “sfida”.

Një nga sfidat kryesore është rritja e antisemitizmit në Perëndim, të cilin ai e lidh me “minoritete radikale muslimane” dhe me “nxitjen antisemitike” që, sipas tij, po forcohet përmes mediave sociale dhe nga “qeveri dhe organizata antisioniste”.

Kryeministri izraelit theksoi gjithashtu se Izraeli “po lufton antisemitizmin në të gjithë botën” dhe se qeveria ka investuar “më shumë se dy miliardë shekel në Ministrinë e Jashtme për të luftuar këtë propagandë”. Ai shtoi se duhet të “adoptohen metoda të reja” për të trajtuar këtë fenomen dhe bëri thirrje për njohjen e “arritjeve të mëdha” të Izraelit.

Scroll to Top