Zgjedhjet në Hong Kong pas zjarrit masiv, pjesëmarrje shumë e ulët e votuesve
Zgjedhjet që u mbajtën ditën e djeshme në Hong Kong shënuan një pjesëmarrje të ulët, pothuajse rekord, pas një zjarri të tmerrshëm që ndodhi më 26 nëntor. Ky zjarr shkaktoi zemërim te votuesit ndaj autoriteteve të mbështetura nga Kina.
Megjithatë, pjesëmarrja e votuesve ishte më e lartë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, katër vjet më parë. Vetëm kandidatët që konsideroheshin “patriotë” nga qeveria u lejuan të kandidojnë për të fituar një vend në Këshillin Legjislativ prej 90 vendesh. Vetëm 20 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt, ndërsa pjesa tjetër zgjidhet nga një komision zgjedhor i përbërë nga besnikë të Pekinit.
Oraret e votimit u shtrinë dhe u hapën disa qendra të reja votimi për të inkurajuar qytetarët të shkojnë të votojnë.
Qeveria njoftoi se përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhjet për Këshillin Legjislativ arriti në 31,9%, krahasuar me 30,2% që ishte në vitin 2021. Kjo përqindje ishte më e ulëta që nga rikthimi i ish-kolonisë britanike në sovranitetin kinez në vitin 1997.
David Lok, president i Komisionit Zgjedhor, tha sot në një konferencë për shtyp se zjarri i 26 nëntorit në kompleksin e lartë banesor ndryshoi “atmosferën sociale, duke e bërë shumë të vështirë organizimin e këtyre zgjedhjeve.”
Masat e sigurisë ishin tepër të rrepta në lagjen e veriut të Hong Kongut, Tai Po, afër kufirit me Kinën e kontinentit, ku shpërtheu zjarri në shtatë kulla banimi. Një numër i madh policësh patrullonin zonën përreth vendit të fatkeqësisë, Wang Fuk Court.
Banorët janë të zemëruar pas zjarrit që mori jetën e të paktën 159 njerëzve dhe që kërkoi gati dy ditë për t’u shuar. Autoritetet thanë se materialet e dobëta që ishin përdorur për renovimin e kompleksit ishin shkaku i shpërthimit të zjarrit.
Kryetari i qeverisë lokale, John Lee, deklaroi se qeveria do të bashkëpunojë me parlamentin e ri për të “miratuar reforma institucionale” pas tragjedisë, mes thirrjeve për më shumë llogaridhënie nga qeveria dhe mbikëqyrje më të mirë të sektorit të ndërtimit.
Për të qetësuar zemërimin e popullatës, autoritetet nisën një hetim penal dhe një hetim për korrupsion lidhur me zjarri.
