Macron: Mbështetja për Ukrainën dhe “kartat” në duart tona
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se Evropa dhe Ukraina disponojnë tani argumente dhe mjete të shumta për të ushtruar presion mbi Rusinë në negociatat për paqen.
Gjatë fjalës së tij hapëse në një takim me udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Ukrainës, Macron theksoi nevojën për harmonizimin e qëndrimeve mes Ukrainës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne të gjithë e mbështesim Ukrainën, ne të gjithë mbështesim paqen dhe bisedimet e paqes për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme. Dhe mendoj se kemi shumë letra në duart tona,” u shpreh Macron.
Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian po siguron fonde për Ukrainën, si dhe po organizon furnizimin me pajisje dhe programe trajnimi.
“Është fakt që Ukraina po bën rezistencë në këtë luftë, dhe është fakt që ekonomia ruse po fillon të vuajë, veçanërisht pas sanksioneve tona të fundit dhe atyre të vendosura nga Shtetet e Bashkuara,” theksoi presidenti francez.
Macron shtoi se çështja kryesore tani është përfundimi i bisedimeve për paqe dhe fillimi i një faze të re me kushte më të favorshme për Ukrainën.
“Çështja kryesore tani është të pajtojmë qëndrimet tona të përbashkëta, ato të Evropës, Ukrainës dhe SHBA-së, në mënyrë që të përfundojmë këto bisedime paqeje dhe të fillojmë një fazë të re në kushtet më të mira të mundshme për Ukrainën, për Evropën dhe për sigurinë tonë kolektive,” përfundoi ai.
