Bursa e Energjisë parashikon 1.35 milionë euro të ardhura nga transaksionet në vitin 2026
Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) parashikon që vitin e ardhshëm të arkëtojë 135 milionë lekë (rreth 1.35 milionë euro) nga tarifat që vjel në bazë të volumit të transaksioneve të energjisë për dy zonat ku operon.
Në kërkesën e ALPEX për përcaktimin e tarifave të Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike, e cila aktualisht është në shqyrtim nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), parashikohet që pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave të vijë nga zona e ofertimit të Shqipërisë.
“Duke konsideruar volumin e transaksioneve të energjisë të tregtuara gjatë vitit 2024 në të dy zonat e ofertimit, duke marrë parasysh trendin e volumeve të transaksioneve të energjisë të tregtuara përgjatë 9-mujorit të vitit 2025, si dhe duke konsideruar disa ndryshime që priten gjatë vitit 2026, parashikohet që të ardhurat në vitin 2026 të jenë rreth 135,962,909 Lekë, të ndara si në vijim:
- Për zonën e ofertimit të Shqipërisë janë parashikuar 77,394,544 Lekë.
- Për zonën e ofertimit të Kosovës janë parashikuar 58,568,366 Lekë.
kështu thuhet në dokumentin që ALPEX ka paraqitur pranë Entit Rregullator.
Për vitin aktual, të ardhurat e pritura parashikohen të jenë 87 milionë lekë, ose rreth 870 mijë euro.
Bursa e energjisë nisi operimin në prill 2023, teksa për Kosovën kjo u bë efektive vetëm në vitin 2024.
Sipas të dhënave të fundit, aktualisht janë të anëtarësuar rreth 42 Anëtarë të Bursës dhe 5 Anëtarë të Përgjithshëm Klerimi.
“Gjithsej për zonën e ofertimit të Shqipërisë janë: 26 Anëtarë Burse, nga të cilët 5 janë shoqëri publike dhe 21 janë shoqëri private. 1 Anëtar Burse është në proces anëtarësimi. 2 Anëtarë të Përgjithshëm Klerimi: Raiffeisen Bank dhe Tirana Bank. Gjithsej për zonën e ofertimit të Kosovës janë: 16 Anëtarë Burse, nga të cilët 3 janë shoqëri publike dhe 13 janë shoqëri private. 1 Anëtar Burse është në proces anëtarësimi. 3 Anëtarë të Përgjithshëm Klerimi: Procredit Bank, Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank në Kosovë”, nënvizon ALPEX.
