Katër shqiptarë të arrestuar në Greqi, pjesë e një organizate kriminale për ekzekutime me pagesë
Gjashtë persona, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale që kryente vrasje me porosi, u arrestuan të martën pas një operacioni policor në Atikë. Dyshohet se të arrestuarit qëndrojnë pas atentatit ndaj një figure të botës së krimit, i cili më vonë u vra në qytetin turistik të Arahovës.
Sipas informacioneve nga burime policore, të dyshuarit janë katër shtetas shqiptarë dhe dy grekë. Ata u ndaluan nga Njësia Kundër Shtrëngimit e Drejtorisë së Luftës kundër Krimit të Organizuar. Katër prej tyre dyshohet se janë pjesë e ekipit ekzekutues.
Të arrestuarit njihen nga autoritetet për vrasje të mbetura në tentativë dhe vepra të tjera të rënda. Njëri prej tyre ndodhet tashmë në burg, pasi ishte arrestuar kohët e fundit për akuza të lidhura me drogën.
Gjatë kontrollit, në posedim të tyre u gjetën katër pushkë kallashnikov, tre pistoleta dhe një sasi kokaine.
Njëri prej katër shqiptarëve, i identifikuar si “Demos”, mendohet të jetë drejtuesi i grupit. Ai ka qenë më parë pjesë e një bande kriminale të drejtuar nga krimineli i njohur Vasilis Stefanakos, i cili u ekzekutua me armë në vitin 2018.
Katër personat e dyshuar si pjesë e “skuadrës së ekzekutimit” dyshohet se morën pjesë në tentativën për vrasjen e 42-vjeçarit Giannis Lalas. Ky atentat ndodhi jashtë një pike karburanti në pronësi të tij në Ano Liosia, ku makina e tij e blinduar u shoshit nga plumbat e kallashnikovit. Në atë kohë, Lalas i mbijetoi atentatit dhe iu drejtua policisë për mbrojtje.
