Gaza pas armëpushimit: Rrënoja, mungesë dhe sfidat e rindërtimit

Dy muaj pas armëpushimit! Gaza e shndërruar në një “det” me rrënoja

Kur u kthye në Qytetin e Gazës në tetor, Radwan gjeti vetëm rrënoja nga apartamenti i tij i vjetër. Duke mos qenë në gjendje t’i largonte dhe pa pasur një vend tjetër ku të shkonte, ai ka vendosur të ndërtojë një tendë mbi to për familjen e tij. Aty jetojnë, flenë pranë një muri të anuar, ndërsa natën dyshekët e ndotur fryhen nga lagështia.

Ky është normaliteti për 1,9 milionë palestinezë të zhvendosur dhe pa asgjë. Dy muaj pas armëpushimit, Gaza vazhdon të jetë “një nga vendet më të shkatërruara në botë”, sipas raportit të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Nga shkollat te spitalet, nga dyqanet te shtëpitë private, mbi 80% e ndërtesave “janë dëmtuar ose shkatërruar”. Burimet e ujit të pijshëm “janë ndotur dhe pjesa më e madhe e vegjetacionit është shkatërruar”.

OKB-ja ka vlerësuar, përmes imazheve satelitore, përmasat e dëmeve: 61 milionë tonë rrënoja mbysin enklavën palestineze. Mes mbeturinave fshihen mjete shpërthyese të pashpërthyera dhe mina. Ende mbeten të zhdukur trupat e të paktën 10 mijë palestinezëve.

Për t’u dhënë atyre varrim dhe për të hequr rrënojat mund të nevojiten 7 vjet dhe 110 milionë euro, sipas vlerësimit më optimist të UNDP-së. Ky vlerësim vlen “vetëm në kushtet e duhura”, pra me “ akses pa pengesa në zonat prioritare, leje për makineri të rënda dhe një hyrje të vazhdueshme të karburantit”.

Teknikët e OKB-së po punojnë dhe kanë arritur të largojnë “120 mijë tonë rrënoja” deri tani. Vetëm një muaj pas armëpushimit, 50 mijë tonë u larguan. Mbetjet mblidhen dhe grimcohen, duke u përdorur për të sheshuar rrugët dhe për të krijuar hapësira për strehime të tjera të përkohshme. Megjithatë, është një punë titanike që do të kërkonte investime krejt të tjera.

Nevojiten ekskavatorë, bulldozerë dhe pajisje që Izraeli nuk do t’i lejojë të hyjnë përderisa Hamasi mbetet në pushtet, pasi këto makina janë përdorur edhe për të ndërtuar tunele në të kaluarën.

Negociatat për periudhën pas luftës vazhdojnë me vështirësi të mëdha, për shkak të refuzimit të Hamasit për t’u çmilitarizuar pa një rrugë drejt shtetit palestinez, dhe për vendosmërinë izraelite për të penguar lindjen e një shteti palestinez.

Fjalët e shefit të shtabit izraelit, Zamir, kanë bërë bujë. Ai e ka përkufizuar “linjën e verdhë” si një “kufi të ri” për Izraelin. Kjo linjë ndan Gazën në dy pjesë; zona në lindje është nën kontrollin e IDF-së dhe “funksionon si një linjë mbrojtëse e avancuar për komunitetet tona”, ka shpjeguar Zamir. “Ne kemi kontroll operativ në zona të gjera të Rripit të Gazës dhe do të qëndrojmë në ato linja mbrojtjeje”.

Këto deklarata janë të papranueshme për palestinezët, të cilët kërkojnë tërheqjen e IDF-së. Megjithatë, ato pasqyrojnë diskutimet mes amerikanëve dhe izraelitëve, si dhe planet e ushtrisë.

Kushner, dhëndri i Trumpit, ka qenë i pari që ka propozuar ndërtimin e një “Gaza të re” pa Hamasin në zonën e kontrolluar nga Izraeli. Zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite konfirmojnë për Repubblica se “ideja është të ndahet Hamasi nga popullsia civile”.

Pika e nisjes është Rafah, qyteti i shkatërruar nga aviacioni, të cilin teknikët e xhenios izraelite po e “pastrojnë” nga rrënojat dhe tunelet. Në lindje të Rafahut duhet të ndërtohen strehimet e para, “ku palestinezët do të mund të hyjnë pas një kontrolli të kujdesshëm”, shpjegojnë burimet. “Izraelit i duhet një zonë tampon” për të bërë të mundur që civilët të mos “gjenden më kurrë në vijën e frontit”.

Scroll to Top