Musabelliu prezanton platformën për drejtimin e SPAK

Gara për kreun e ri të SPAK, Musabelliu prezanton platformën

Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu, po prezanton programin e saj për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë prezantimit të saj para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Musabelliu nënvizoi rëndësinë e integritetit dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës. Ajo theksoi se përvoja e saj mbi 21-vjeçare në sistemin e drejtësisë përbën bazën për një drejtim të suksesshëm të institucionit.

Musabelliu theksoi se drejtimi i SPAK kërkon një qasje të vendosur dhe njohje të thellë të sistemit, si dhe aftësinë për të marrë vendime të pavarura dhe të bazuara në parimet më të larta të shtetit të së drejtës.

“Motivimi për të kandiduar vjen nga ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar me integritet në drejtimin e SPAK. Jam e bindur se përvoja profesionale e akumuluar në dy dekada përbën garanci për drejtimin e SPAK. Ky moment kërkon një drejtim që bashkon forcën e vendosmërisë dhe integritetin e pa kompromisë. Synoj një drejtim të pavarur me rezultate konkrete,” tha Musabelliu.

Ajo shtoi: “Me një eksperiencë 21-vjeçare, jam e bindur se përvoja profesionale dhe njerëzore përgjatë dy dekadave përbëjnë garanci për drejtimin e suksesshëm të institucionit. Ky moment kërkon drejtim që bashkon qartësinë dhe vizionin. Me këtë kandidim synoj të ofroj drejtim të pavarur duke pasqyruar parimet më të larta të shtetit të së drejtës.”

Musabelliu vuri në dukje se sfidat e përballura ndër vite janë shndërruar në përvojë pune, duke i pajisur atë me pavarësi profesionale. “Kam vijuar me këmbëngulje të kryej detyrat e mia. Përvoja 21-vjeçare si prokurore më ka bërë të eci përpara me një qasje të guximshme. Drejtimi i këtij institucioni kërkon njohje në rrënjë të sistemit dhe përvojën për të vendosur me vendosmëri,” përfundoi Doloreza Musabelliu.

Scroll to Top