Buxheti 2026 miratohet: Paga minimale 500€, pensione e investime

Rritje e pagës minimale në 500€; miratohet me 81 vota pro Buxheti 2026

Kuvendi zhvilloi një seancë maratonë, e cila zgjati deri pas orës 01:30, për diskutim nen për nen të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2026. Buxheti për vitin 2026 u miratua me 81 vota pro dhe 16 deputetë votuan kundër.

Të ardhurat totale për vitin e ardhshëm pritet të arrijnë në 823 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 886.7 miliardë lekë. Deficiti buxhetor për vitin 2026 është planifikuar në 2.3% të PBB-së, ndërsa balanca primare pritet të jetë e balancuar, në përputhje me rregullat fiskale në fuqi.

Borxhi publik bruto do të vijojë të ulet, duke zbritur në 53.6% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 51% deri në vitin 2028.

Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve, që përfshin bonuse mujore. Sipas të dhënave në projektligj, fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro, si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre.

Do të financohet gjithashtu rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, si dhe indeksimi i pagave të administratës publike me 2.5%, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Për vitin 2028, paga minimale pritet të arrijë në 60 mijë lekë, e shoqëruar me indeksim sipas inflacionit.

Qeveria planifikon të ruajë një nivel të lartë investimesh publike, me një mesatare prej 6.5% të PBB-së gjatë periudhës 2026–2028. Investimet do të përqendrohen në projekte strategjike të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021–2030.

Në kuadër të buxhetimit gjinor, rreth 9.5% e shpenzimeve buxhetore do t’i dedikohen politikave me bazë gjinore, të përfshira në 85 programe buxhetore.

Buxhetet vendore për vitin 2026 janë parashikuar në 97.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, duke përfaqësuar 3.52% të PBB-së. Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të jetë 1.6 miliardë lekë më e lartë se një vit më parë dhe më shumë se dyfishi krahasuar me nivelin e vitit 2015.

Scroll to Top