Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i liruar nga burgu pas katër vitesh
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili u arrestua për çështjen e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, është liruar nga burgu pas katër vitesh qëndrimi aty.
Vendimi për lirimin e tij është marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për çështjen që lidhet me inceneratorin e Fierit. Sipas vendimit të GJKKO-së, masa e sigurisë për këtë dosje nuk qëndron më. Ndërkohë, çështja për inceneratorin e Fierit është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Lidhur me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Sa i përketë çështjes së inceneratorit të Tiranës, ai e ka shlyer dënimin duke qëndruar në paraburgim.
Të tre dosjet penale ku Koka ishte i përfshirë – inceneratorët e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit – nuk paraqesin më masa sigurie në fuqi.
Lefter Koka u arrestua në dhjetor 2021, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me aferat korruptive për Inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për inceneratorin e Fierit janë paguar 4 milionë euro për punë që nuk janë kryer kurrë, ndërsa dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në kuadër të skemës së mashtrimit arrin në 60 milionë lekë.