Aksion i befasishëm në Kurbin/ Arrestohet Elvin Mërlika, pjesë e grupit të Vis Martinajt
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, Forcat Operacionale kanë zhvilluar një operacion të papritur në zonën e Bajratit në Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Gjatë ndërhyrjes në Fushë-Kuqe, janë arrestuar dy persona të shpallur në kërkim nga SPAK: Elvin Mërlika dhe Fred Xhixha.
Elvin Mërlika, i cili mësohet të jetë pjesë e grupit të Vis Martinajt, akuzohet si bashkëpunëtor në planin për eliminimin e Indrit Dokles, sipas porosisë së Ervis Martinajt. Ai kërkohet nga Operacioni “Plumbi i Artë”.
Emri i Mërlikës u bë i njohur publikisht pas deklaratave të dhëna nga “i penduari i drejtësisë”, Nuredin Dumani. Dumani ka dëshmuar se Mërlika kishte krijuar kushtet materiale për ekzekutimin e Indrit Dokles. Ai gjithashtu shtoi se Mërlika ka komunikuar drejtpërdrejt me Ervis Martinajn dhe bashkëpunëtorët e tij për të realizuar planin, i njohur si ai i “Mbretit të lojërave të fatit”.
Forcat Operacionale kanë sekuestruar gjithashtu armë zjarri. Kontrollet dhe hetimet për të identifikuar të gjithë personat e tjerë të mundshëm të përfshirë në veprimtari kriminale vazhdojnë në terren.
