Von der Leyen: Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie; marrëveshja e paqes s’duhet të mbjellë farat e konfliktit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Ukraina ka nevojë për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, e cila duhet të shoqërohet me garanci të qarta dhe të forta sigurie. Në një intervistë për Politico, ajo theksoi se një marrëveshje paqeje nuk duhet të krijojë kushte për konflikte të ardhshme.
Von der Leyen nënvizoi se vetëm Presidenti Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas kanë të drejtën të vendosin për të ardhmen e territorit ukrainas. Ajo përsëriti nevojën për garanci sigurie “shumë të forta” për Kievin, si kusht për stabilitetin afatgjatë.
E pyetur rreth aftësisë së Evropës për t’u mbrojtur në një kontekst sigurie gjithnjë e më të ndërlikuar, Presidentja e Komisionit u shpreh: “Kjo është një pyetje shumë e mirë. Ne nuk kemi luksin e kohës.”
