Rama nuk humb kohë: Vendimi i Kushtetueses për Ballukun publikohet në Fletoren Zyrtare
Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë zv.kryeministren dhe njëherësh ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, vetëm pak orë pasi u njoftua nga faqja e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një rast i paprecedentë ku një vendim i Kushtetueses zbardhet dhe miratohet brenda pak orësh, sidomos duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes.
Kolegji i Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi me 5 vota pro dhe 3 kundër të shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Rama dhe të rikthejë në detyrë znj. Balluku deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Gjyqtarët që votuan pro pezullimit të vendimit të GJKKO-së ishin Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi, Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Fiona Papajorgji. Ndërsa kundër votuan Ilir Toska, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.
Më datë 22 janar, në orën 10:00, do të mbahet një seancë publike ku Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimin e parashtruar nga kryeministri Rama. Ky ankim synon të sqarojë nëse Gjykata e Lartë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka kompetencën për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.
Përveç qeverisë, e cila është palë në këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka ftuar gjithashtu përfaqësues nga SPAK, GJKKO, Kuvendi dhe Presidenti, si subjekte të interesuara, të marrin pjesë në seancë.
