Shqipëria me rënien më të madhe industriale në Europë, pas Ukrainës

Shqipëria po përballet me de-industrializim, duke regjistruar rënien më të fortë të prodhimit në Europë, pas Ukrainës.

Industria dhe zhvillimi i saj janë thelbësore për prosperitetin e një vendi. Megjithatë, në vend që të çojë sektorin industrial në një nivel më të lartë të zinxhirit të vlerës, Shqipëria po ecën në drejtim të kundërt, duke dëmtuar edhe atë pak industri që posedon.

Të dhënat zyrtare të Eurostat tregojnë se prodhimi industrial në Shqipëri ka pësuar një rënie të vazhdueshme pas vitit 2021. Kjo situatë e rendit Shqipërinë në fund të Europës për ecurinë e këtij sektori gjatë periudhës 2021-2025.

Indeksi i prodhimit industrial në Shqipëri zbriti në 84.7 pikë në vitin 2025, nga një bazë prej 100 pikësh në vitin 2021. Kjo do të thotë se prodhimi industrial në vitin 2025 ishte 15.3% më i ulët në vëllim krahasuar me katër vite më parë.

Nga 35 vendet europiane të përfshira në analizë, vetëm Ukraina, ekonomia e së cilës vazhdon të jetë e prekur drejtpërdrejt nga lufta, pati një performancë më të dobët. Në Ukrainë, prodhimi industrial në vitin 2025 ishte 30.4% nën nivelin e vitit 2021.

Në Shqipëri, indeksi fillimisht u rrit në 102.9 pikë në vitin 2022, por më pas filloi një tkurrje të shpejtë, duke arritur 94 pikë në 2023, 87 pikë në 2024 dhe 84.7 pikë në 2025. Krahasuar vetëm me vitin 2022, kur u arrit niveli më i lartë i periudhës, prodhimi industrial është ulur me rreth 17.7%.

Ecuria e Shqipërisë është dukshëm më e dobët edhe në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit:

  • Në vitin 2025, prodhimi industrial në Serbi ishte 8.8% mbi nivelin e vitit 2021.
  • Në Turqi, rritja arriti në 9.9%.
  • Maqedonia e Veriut ishte vetëm 1.4% nën nivelin bazë.
  • Mali i Zi regjistroi një rënie prej 6.5%.
  • Në Bosnjë-Hercegovinë, prodhimi industrial ishte 8.6% më i ulët se në vitin 2021, por kjo tkurrje ishte ndjeshëm më e vogël se ajo e Shqipërisë (15.3%).

Edhe Greqia dhe Kroacia, dy ekonomi të rajonit ku turizmi ka një peshë të rëndësishme, arritën të zgjeronin aktivitetin industrial. Greqia shënoi një rritje prej 12.7% kundrejt vitit 2021, ndërsa Kroacia prej 2.3%.

Nga 35 ekonomitë e përfshira, 19 kishin në vitin 2025 një prodhim industrial më të lartë se në vitin 2021, ndërsa 16 regjistruan rënie. Rritjen më të madhe e shënoi Danimarka, ku prodhimi industrial ishte 28.8% mbi nivelin e vitit 2021, e ndjekur nga Irlanda (22.4%), Malta (16.6%), Greqia (12.7%), Polonia (12.5%) dhe Qipro (12.1%).

Industria europiane është përballur gjatë këtyre viteve me:

  • Rritjen e kostove të energjisë.
  • Dobësimin e kërkesës së jashtme.
  • Konkurrencën më të fortë nga Kina.
  • Probleme në sektorin e automobilave.

Këto faktorë kanë prekur veçanërisht ekonomitë me industri të rëndë dhe me përdorim intensiv të energjisë.

Në Shqipëri, dobësimi i industrisë lidhet me probleme të ndërthurura në industrinë nxjerrëse, prodhimin e energjisë dhe manifakturën e orientuar drejt eksporteve. Forcimi i monedhës vendase (leku) ka ulur të ardhurat e kompanive që shesin në euro, ndërkohë që kostot e pagave dhe të prodhimit janë rritur. Në të njëjtën kohë, kompanitë shqiptare po përballen me konkurrencë më të fortë nga prodhuesit me kosto më të ulët në Azi.

Komisioni Europian vlerëson se eksportet përpunuese të Shqipërisë janë goditur nga mbiçmimi i lekut, rritja e kostos së punës dhe konkurrenca e jashtme.

Struktura e industrisë shqiptare mbetet e përqendruar në degë me vlerë të shtuar relativisht të ulët, si tekstilet dhe këpucët, si dhe në produkte të lidhura me lëndët e para, përfshirë naftën, metalet, çimenton dhe energjinë. Kjo e bën prodhimin më të ndjeshëm ndaj:

  • Luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.
  • Kursit të këmbimit.
  • Kushteve atmosferike që ndikojnë në prodhimin hidroenergjetik.

Ndryshe nga vendet që kanë zgjeruar farmaceutikën, teknologjinë, makineritë ose sektorë të tjerë me produktivitet të lartë, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të fundit është mbështetur më shumë te turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Si rrjedhojë, zgjerimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me një rimëkëmbje të prodhimit industrial.

Scroll to Top