Publikohen Foto të Reja: Prezervativë dhe Donald Trump i Rrethuar nga Femra në Festat e Jeffrey Epstein
Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të premten materiale të tjera nga dosjet personale të pedofilit të dënuar dhe vetëvrarë në burg, Jeffrey Epstein.
Shumica e 19 fotove të publikuara paraqesin Epstein dhe miqtë e tij të famshëm. Mes tyre janë regjisori i njohur Woody Allen, ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon, biznesmeni Richard Branson i kompanisë “Virgin” dhe miliarderi Bill Gates.
Një nga fotot tregon një tas me prezervativë, ku mbi to është vendosur imazhi i Donald Trump. Pranë tij shihet një tabelë me mbishkrimin “Prezervativët Trump 4.50 dollarë”, ndërsa në paketim thuhet “Jam i maaadh”. Një imazh tjetër tregon Trump të rrethuar nga gjashtë gra me kurora lulesh, fytyrat e të cilave janë mbuluar nga komiteti.
Gjithashtu, fotografitë përfshijnë Steve Bannon dhe Epstein duke bërë një shkrepje në pasqyrë, Bill Clinton me Epstein, Ghislaine Maxwell dhe një çift tjetër, si dhe Bill Gates me ish-Princin Andrew. Ish-presidenti i Harvardit, Larry Summers dhe avokati Alan Dershowitz shfaqen gjithashtu në këto pamje.
Është e njohur prej kohësh se Epstein ka pasur marrëdhënie miqësore me të gjitha këto personalitete, dhe fotot e reja shtojnë një dimension të ri lidhur me këto marrëdhënie. Asnjë nga imazhet e publikuara nuk përshkruan abuzime seksuale dhe nuk besohet të ketë persona të mitur në to.
Sipas CNN, nuk është e qartë se kur, ku, apo nga kush janë bërë këto fotografi. Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, i ka siguruar këto pamje nga rezidenca e Epstein si pjesë e hetimit të tij. Deri më tani, komiteti ka publikuar dhjetëra mijëra dokumente, email-e dhe komunikime të tjera të mbledhura nga rezidenca e Epstein, duke formuar një koleksion të konsiderueshëm materialesh. Zyrtarët e komitetit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për rreth 95,000 skedarë fotografikë, shumë prej të cilëve përmbajnë Epstein dhe miqtë e tij të fuqishëm.
Bill Clinton nuk është akuzuar zyrtarisht për asnjë shkelje lidhur me Epstein. Ai ka deklaruar se i ka prerë lidhjet me Epstein para arrestimit të tij dhe se nuk ka qenë në dijeni të krimeve të tij.
Një zëdhënës i Bill Gates ka mohuar që Epstein të ketë punuar ndonjëherë për të. Ai ka shprehur keqardhje për takimet me Epstein, duke e cilësuar si një “gabim të madh” të kalonte kohë me të dhe t’i jepte atij besueshmërinë duke qenë prezent, siç raportohet nga CNN në vitin 2021.
Marrëdhënia e Donald Trump me Epstein është gjithashtu e njohur. Presidenti aktual ka deklaruar se është distancuar nga miku i tij financier para se të merrte detyrën zyrtare. Megjithatë, në një email të publikuar, Epstein pretendoi se Trump “kaloi orë të tëra” me Virginia Giuffre (e cila nuk jeton më) dhe se ai “e dinte për vajzat”.
