Begaj emëron Genti Shalën gjyqtar të Gjykatës së Lartë
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e magjistratit Genti Shala si Gjyqtar të Gjykatës së Lartë. Emërimi i tij u krye me dekretin nr. 471 të datës 12 dhjetor 2025.
Genti Shala ka mbajtur postin e Anëtarit Zëvendësues të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin 2023. Më herët, në periudhën shkurt 2007 – maj 2010, ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përpara këtyre detyrave, ai ka shërbyer si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër (2004–2007) dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër (1998–2004).
Në dekretin e lëshuar thuhet:
“REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T
PËR EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË
Në mbështetje të nenit 93, nenit 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 48, pika 13 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; bazuar në vendimin nr. 818, datë 4.12.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatit z. Genti Shala”, për pozicionin e lirë në fushën e së drejtës penale, shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.5.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor,
D E K R E T O J:
Neni 1
Zoti Genti Shala emërohet Gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.”
