Qeveria ankimoi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, Kushtetuesja merr vendimin! Kalon çështjen për shqyrtim me 5 vota pro dhe 3 kundër!
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin lidhur me ankimimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, ish-zv.kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës, të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO). Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kalojë çështjen për shqyrtim në seancë. Ky vendim u mor me 5 vota pro, ndërsa 3 gjyqtarë votuan kundër shqyrtimit të kësaj çështjeje.
Si rrjedhojë, çështja do të shqyrtohet në një seancë të posaçme, ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojnë në themel vendimin e GJKKO-së.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion kishte caktuar masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, pas hetimit të SPAK-ut. SPAK ka ngritur akuza kundër saj për abuzime lidhur me tunelin e Llogarasë dhe paracaktimin e tenderit të Unazës së Madhe.
QËNDRIMI I KRYEMINISTRIT
Kryeministri Edi Rama, pas pezullimit të Ballukut nga GJKKO, nuk e shkarkoi atë nga detyra, por i hoqi të drejtën e firmës dhe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Qeveria kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes saj dhe GJKKO-së, si dhe shfuqizimin e vendimit për pezullim nga detyra.
Kryeministri Rama bazoi ankimimin në parashikimin kushtetues sipas të cilit një anëtar i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit. Sipas ankimit, nëse nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i një deputeti, atëherë kjo nuk mund të ndodhë as për një ministër. Ankimimi argumentoi se ka pasur ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe se GJKKO ka marrë atribute që nuk i njeh Kushtetuta.
Qeveria nuk ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese masën tjetër të sigurisë, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit.
APELI I GJKKO-së
Nga ana tjetër, Miliana Muça do të jetë gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila do të shqyrtojë ankimin lidhur me masat e sigurisë të kërkuara nga SPAK dhe caktuara nga GJKKO për zv.kryeministren Balluku dhe dy vartësit e saj: drejtorin e KESH, Erald Elezi, dhe drejtorin e ARRSH, Gentian Gjyli.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu daljen jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dyja rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka njoftuar se po heton edhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar gjithashtu edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.