Mashtroi investitorët që i besuan kursimet e jetës, 15 vjet burg për sipërmarrësin e kriptovalutave
Do Kwon, sipërmarrësi korean i kriptomonedhave dhe bashkëthemelues i Terraform Labs, është dënuar me 15 vite burg nga një gjykatë federale në Manhattan. Dënimi vjen pas akuzave për mashtrim të shkallës së lartë, të cilat çuan në humbje prej rreth 40 miliardë dollarësh.
Gjatë seancës, gjyqtari Paul A. Engelmayer e quajti rastin “një mashtrim epik”, duke theksuar se Kwon mashtroi investitorët që i besuan atij kursimet e tyre më të vlefshme.
Kwon, 34 vjeç, kishte pranuar fajësinë për komplot për mashtrim, mashtrim me telekomunikacion dhe deklarata të rreme lidhur me stablecoin-in TerraUSD. Ky i fundit duhej të mbante një vlerë fikse prej 1 dollari, por dështimi i tij shkaktoi kolapsin e tregut.
Ai kërkoi falje në gjykatë, duke iu referuar viktimave që humbën shuma të mëdha parash, përfshirë një investitor që raportohet të ketë humbur deri në 500 mijë dollarë.
Prokuroria paraqiti prova të planeve të sofistikuara të Kwon për manipulimin e vlerës së kriptomonedhave, duke kërkuar një dënim të rëndë për shkak të dëmit ekonomik jashtëzakonisht të madh.
Mbrojtja kërkoi një dënim më të ulët, vetëm 5-vjeçar, me qëllim që Kwon të mund të ekstradohej në Korenë e Jugut, ku e presin akuza të tjera. Pas vuajtjes së gjysmës së dënimit në SHBA, ai mund të aplikojë për transferim.
Në një proces të veçantë civil, Kwon ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej 80 milionë dollarësh dhe t’i ndalohet çdo aktivitet në tregun e kriptomonedhave, sipas marrëveshjes me Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC).
Rasti i tij konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha financiare në botën e kriptomonedhave.
