Vala e Protestave Nuk Ndalet: Qytetarët në Bukuresht ‘Zbarkojnë’ në Sheshe kundër Korrupsionit në Sistemin Gjyqësor
Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Bukureshtit dhe disa qyteteve të tjera të Rumanisë të premten, duke protestuar kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe duke kërkuar reforma thelbësore dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore.
Këto protesta nisën të mërkurën, pas publikimit të një hetimi nga platforma investigative Recorder. Hetimi nxori në dritë dëshmi tronditëse nga gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët raportuan presione të ushtruara nga zyrtarë të lartë. Ky hetim ka marrë një vëmendje të gjerë publike, duke grumbulluar mbi 3.5 milionë shikime në YouTube.
Gjatë protestës së së premtes, demonstruesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të drejtësisë, presidentit të Gjykatës Supreme dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë. Me pankarta ku shkruhej “Drejtësi, jo korrupsion”, “Hajdutë” dhe “Ju shohim”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e cilësojnë si një sistem të kapur dhe të manipuluar nga brenda.
“Shoqëria civile nuk e pranon një sistem që është i korruptuar në thelb dhe i projektuar për t’u manipuluar nga brenda,” deklaroi për AFP Vlad Voinea, 40 vjeç, i cili mori pjesë në tubim me vajzën e tij.
Ndërkohë, Michnea Mihai, 31 vjeç, i cili mbante një pankartë me mbishkrimin “Respekt për gjyqtarët e ndershëm”, tha se kishte dalë në marshim për të mbështetur gjyqtarët që denoncuan ndërhyrjet dhe për të inkurajuar të tjerë të ndiqnin shembullin e tyre.
Reagime ka pasur edhe nga brenda sistemit gjyqësor. Qindra gjyqtarë kanë nënshkruar një letër të hapur, ku denoncojnë “mosfunksionime sistemike” dhe shprehin solidaritet me kolegët që, sipas tyre, patën guximin të ekspozonin presionet dhe problemet e brendshme.
Presidenti rumun, Nicușor Dan, bëri thirrje për dialog me gjyqtarët më 22 dhjetor. Në një postim në Facebook, ai theksoi se kur qindra gjyqtarë shprehin shqetësime serioze për “integritetin” e sistemit gjyqësor, “situata është shumë serioze”.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Rumania renditet ndër vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian, një fakt që i ka dhënë edhe më shumë peshë protestave të ditëve të fundit.
