Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së për Belinda Ballukun, duke i dhënë të drejtë Kryeministrit, zbardhen argumentet e gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), të cilat ndalonin ushtrimin e detyrës nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo ishte marrë e pandehur nga SPAK për çështje të lidhura me tendera me vlerë 210 milionë euro.
Kushtetuesja riktheu në detyrë Ballukun duke pranuar ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra. Megjithatë, Gjykata ka lënë në fuqi sekuestrimin e pasaportës, duke i ndaluar Belinda Ballukut daljen jashtë vendit, për sa kohë do të jetë nën hetim dhe me statusin e të pandehurës nga SPAK.
Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi me shumicë votash pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës.
Po ashtu, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik. Si subjekte të interesuara janë thirrur SPAK-u, GJKKO-ja, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës, për datën 22.01.2026, ora 10:00.
VENDIMI I PLOTË
Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Objekt i kërkesës ishte zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës mes Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa parashtronte nevojën për:
- Shfuqizimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryemistres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat.
- Shfuqizimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministrës së Infrastrukturës dhe Energjisë, për arsyetime të ngjashme.
- Pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
- Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”.
Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:
- Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik. Në cilësinë e subjekteve të interesuara janë thirrur Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
- Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
- Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve që ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.
- Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme.