Vuçiç lajmëron vizitë zyrtare në Kinë: Pekini është mik i sinqertë i Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 12 dhjetor njoftoi përgatitjet për një vizitë zyrtare në Kinë, të planifikuar për së shpejti. Ai deklaroi në Nish, qytet në jug të Serbisë, se ka zhvilluar bisedime me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, rreth detajeve të kësaj vizite, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
“Për mua kjo vizitë do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme. I jam mirënjohës presidentit të Kinës, Xi Jinping, për mbështetjen që na ofron në çdo aspekt. Kjo do të jetë një vizitë zyrtare. Kam qenë shumë herë në Kinë, por ato kanë qenë vizita pune, ndërsa kjo do të jetë një vizitë zyrtare,” tha Vuçiç.
Ai theksoi se “Kina është një mike e sinqertë dhe e palëkundur e Serbisë”.
Presidenti serb u takua më 4 shtator me presidentin kinez, Xi Jinping, në Pekin, ku i kërkoi mbështetje nga Kina në fushën e investimeve. Vuçiç atëbotë zhvilloi një vizitë disa ditëshe në Pekin, ku, me ftesë të presidentit kinez, mori pjesë në shënimin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Në korrik 2024 hyri në fuqi marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, e cila parashikon heqjen e tarifave doganore për rreth 20.000 produkte.
Nga Banka Popullore e Serbisë thanë në muajin prill se, sipas shteteve, investimet më të mëdha të huaja direkte në Serbi, bazuar në të dhënat e disponueshme për vitin 2024, kanë ardhur nga Kina. Investitorët më të mëdhenj kinezë në Serbi janë kompania Zijin, e cila në vitin 2018 investoi në RTB Bor, si dhe kompania Hestil, e cila bleu Uzinën e Çelikut në Smederevë në vitin 2016.
Për shkak të intensifikimit të bashkëpunimit të Serbisë me Kinën që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012, Beogradi zyrtar ka marrë disa herë kritika dhe paralajmërime nga Brukseli dhe Uashingtoni.
