Presidentja Osmani fton Papa Leonin, shpresë për njohjen e Kosovës

Presidentja Osmani fton Papa Leonin në Prishtinë, shpreh shpresën për njohjen e Kosovës nga Vatikani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit të saj me Papa Leonin XVI në Vatikan, janë diskutuar mundësi për thellimin e bashkëpunimit. Ajo shprehu shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”. Ky takim u zhvillua një ditë më parë.

Gjatë qëndrimit të saj në Vatikan, Presidentja Osmani ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë. Ajo deklaroi përmes një postimi në Facebook: “Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”. Presidentja Osmani ka ftuar gjithashtu Atin e Shenjtë për një vizitë në Kosovë.

Edhe pse Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy palët mbajnë marrëdhënie diplomatike. Në janar të vitit 2024, Kosova ka hapur Misionin e Posaçëm në Vatikan. Më tej, në maj të këtij viti, raportet u forcuan edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën. Nunc apostolik konsiderohet përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar, ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale, siç informon Radio Evropa e Lirë. Ky vendim, i cili u mor vetëm 12 ditë pasi Papa Leoni mori drejtimin e Kishës Katolike, u mirëprit nga Ipeshkvia e Kosovës si një sinjal pozitiv për vendin.

Për shkak të mosnjohjes së Kosovës, Vatikani zakonisht nuk emëron nunc apostolik, por vetëm delegat. Vatikani ka emëruar për herë të parë një delegat apostolik për Kosovën që nga viti 2011. Vatikani ka sqaruar më parë se misioni i një delegati apostolik “nuk është i natyrës diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë”.

Pse Vatikani nuk e njeh Kosovën?

Sipas diplomatëve, ish-diplomatëve dhe përfaqësuesve kishtarë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë më herët gjatë këtij viti, çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë është komplekse. Vehbi Miftari, shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, ka deklaruar se ka disa pengesa për njohjen formale.

“Duhet të kemi parasysh se, përtej raporteve politike, dialogu ekumenik, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogu politik Kosovë-Serbi janë po aq të rëndësishëm për Selinë e Shenjtë”, ka thënë ai.

Vikari i Ipeshvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, ka deklaruar se Selia e Shenjtë e përcjell me vëmendje dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. “Sa më parë që të shihet fundi i tij, aq më parë Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën. Ky është mendimi im personal”, ka thënë ai, duke shtuar se për shkak të procesit të filluar për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, Vatikani mund të hezitojë të njohë formalisht Kosovën “derisa të shihet qartë se do të arrihet një marrëveshje paqeje ndërmjet dy shteteve”.

Një nga pengesat kryesore vlerësohet të jetë edhe ekumenizmi, apo dialogu ndërkishtar për pajtim ndërmjet kishave të krishtera: katolike, ortodokse dhe protestante. Ish-ambasadori i Kosovës në Romë nga viti 2008 deri më 2012, Albert Prenkaj, po ashtu ka theksuar se dialogu ekumenik është një nga shkaqet që Vatikani nuk e njeh Kosovën. Ai ka kujtuar se në komunikimet e para mes Vatikanit dhe Kosovës, Selia e Shenjtë kishte deklaruar se njeh vetëm shtetet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Kosova nuk është anëtare e OKB-së ende. Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe apo Patrikana e Beogradit është gjithmonë një problem gjatë këtij rrugëtimi. Pra, ne e dimë se çfarë qëndrimi ka Patrikana e Beogradit, por edhe shteti i Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë më herët Prenkaj për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, që shpalli pavarësinë më 2008, nuk është anëtare e OKB-së, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe, sipas Kushtetutës serbe, vendi ende figuron si pjesë e Serbisë. Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Në këtë kontekst, Don Shan Zefi ka shprehur mendimin se Selia e Shenjtë merr në konsideratë të gjithë politikën botërore dhe mund të ketë rezervat e veta për njohjen e Kosovës si shtet.

Pavarësisht se nuk ka një njohje formale, komunikimet dhe takimet me zyrtarë të lartë në Vatikan mes udhëheqësve të Kosovës dhe Selisë së Shenjtë kanë filluar mbi tre dekada më parë. Takimin e parë me një papë e kishte zhvilluar udhëheqësi politik i asaj kohe, Ibrahim Rugova, kur u takua me Papa Gjon Palin II në Vatikan në mars të vitit 1993. Ky ishte audienca e dytë që Presidentja Osmani ka zhvilluar me një udhëheqës të Kishës Katolike, pasi në janar të vitit 2023, ajo ishte pritur në audiencë private nga Papa Françesku. Po atë vit, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar një takim me paraardhësin e Papa Leonit.

Që nga shpallja e pavarësisë, sipas të dhënave zyrtare, Kosova njihet nga 120 vende të botës. Shteti i fundit që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Siria, njohje që u bë publike në fund të tetorit të këtij viti.

Scroll to Top