Fitimi i kompanive të sigurimit u rrit me 64% për gjysmën e parë të vitit
Fitimi i tregut të sigurimeve ka shënuar një rritje të ndjeshme në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për periudhën 6-mujore të vitit 2025, fitimi neto i tregut të sigurimeve në vend arriti vlerën e 2.1 miliardë lekëve, ose 21.5 milionë eurove. Ky fitim neto është rritur me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e fitimeve u evidentua njëkohësisht si në tregun e sigurimit të Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës. Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive në tregun më të madh, atë të Jo-Jetës, arriti në 1.87 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 65% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Ndikimin kryesor në rritjen e fitimeve e kanë dhënë përmirësimi i rezultatit teknik (rezultati i lidhur drejtpërdrejt me aktivitetin sigurues) dhe rritja e të ardhurave në zërin “të ardhura të tjera”. Rezultati teknik arriti vlerën e afërsisht 1.41 miliardë lekëve, duke u rritur me 27.6% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024. Kjo rritje u përcaktua nga një dinamikë më e lartë e primeve të fituara neto në raport me dëmet e paguara neto dhe shpenzimet e tjera të veprimtarisë së kompanive të sigurimit.
Primet e fituara neto, të cilat përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave për siguruesit, janë rritur me 5.3% krahasuar me 6-mujorin e vitit 2024. Nga ana tjetër, dëmet neto të paguara janë rritur me 3.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, shpenzimet e veprimtarisë kanë shënuar një rritje të lehtë prej 2.9% krahasuar me 6-mujorin e vitit të kaluar.
Edhe rezultati neto nga investimet ishte pozitiv, duke arritur vlerën e 464 milionë lekëve, me një rritje prej 16.2% krahasuar me 6-mujorin e vitit 2024. Të ardhurat në zërin “të ardhura të tjera” shënuan një rritje mbresëlënëse prej 463 milionë lekësh, duke u rritur 154 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në tregun e sigurimit të Jetës, kompanitë raportuan fitime neto në vlerën e 240 milionë lekëve, një shifër 60% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e primeve të fituara neto, paralelisht me uljen e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Primet e fituara neto u rritën me 12.7% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shpenzimet neto për dëme të paguara ranë me 23% krahasuar me një vit më parë.
Edhe për këtë vit, kompanitë e sigurimit të Jetës po vazhdojnë të rrisin shpenzimet operative, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet operative neto u rritën me 11.3% dhe vazhdojnë të jenë në përmasa shumë të mëdha krahasuar me vlerën e dëmeve të paguara. Në 6 muaj, shpenzimet operative arritën në 627 milionë lekë, gati pesë herë më shumë se shpenzimet neto për dëme.
Sipas të dhënave nga AMF, tregu i sigurimeve për 6-mujorin 2025 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 12.8 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje vjetore me 8%. Edhe këtë vit, shumica e rritjes vjen nga sigurimet e detyrueshme motorike, ndërsa shumica e produkteve të sigurimit vullnetar janë në rënie.
