Gjobiten 6 kompani frut-perimesh për manipulim çmimesh

Autoriteti i Konkurrencës gjobit 6 kompani të fruta-perimeve për diktimin e çmimeve deri në 115% më të larta

Gjashtë kompani të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të frutave dhe perimeve janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës pasi kanë bashkërenduar çmimet e blerjes, duke diktuar çmime në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar rritje deri në 115%. Ky vendim vjen pas një hetimi dy-vjeçar të Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka monitoruar tregun në qarqe si Tirana, Elbasani, Berati, Fieri dhe Korça.

Hetimi i thelluar ka përfshirë monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës:

Autoriteti i Konkurrencës ka përfunduar vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqe të ndryshme të vendit. Procedura hetimore, e cila zgjati gati dy vite, përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe atë të thelluar.

Në datën 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, duke konstatuar se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit. Kjo sjellje ka diktuar çmime në dëm të fermerëve dhe ka aplikuar marzhë fitimi (shtesë mbi kosto) shumë të larta, deri në 115%.

Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë. Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës për këto kompani.

Rëndësia e vendimit për fermerët në të gjithë Shqipërinë:

Hetimi ka nxjerrë në pah se disa grumbullues, duke shfrytëzuar fuqinë e tyre negociuese, kanë krijuar situata të pafavorshme për fermerët. Këto situatë përfshijnë:

  • Çmime të diktuara dhe të koordinuara.
  • Mbyllja e mundësive për negocim.
  • Varësi e tepruar nga një numër i vogël blerësish.
  • Presion për uljen e çmimeve.
  • Vonesa në shlyerjen e pagesave.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson këto probleme drejtpërdrejt dhe forcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar mundësi për:

  • Çmime më të drejta dhe më transparente.
  • Konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve.
  • Mundësi reale zgjedhjeje për fermerët.
  • Pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie kontraktuale më të balancuara.
  • Frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin tregun kombëtar.

Edhe pse janë gjobitur 6 kompani, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, duke sjellë qartësi mbi praktikat e ndaluara, duke vendosur standarde të reja për transparencën e çmimeve, duke synuar disiplinimin e tregut të fruta-perimeve dhe duke nxitur konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët. Kjo ndërhyrje ka një impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe dërgon një sinjal të qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.

Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit:

Komisioni ka urdhëruar kompanitë e gjobitura që:

  • Të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë.
  • Të jenë subjekt monitorimi nga Autoriteti i Konkurrencës për një vit.

Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:

  • Minimizimin e informalitetit në të gjithë zinxhirin e tregtimit.
  • Hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE.
  • Krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore).
  • Vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara.
  • Bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP).

Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri.

Scroll to Top