SPAK kryen kontrolle në banesat e Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka urdhëruar kontrolle në banesat e disa biznesmenëve, zyrtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe bashkëpunëtorëve të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit. Këta dy të fundit janë shpallur në kërkim si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.
Biznesmenët akuzohen se, përmes pengmarrjes dhe shantazheve, kanë detyruar biznesmenin Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Referuar dokumenteve zyrtare, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesa për kontroll personal dhe të banesës për shtetasit:
- Gëzim Toska
- Renato Hristiç
- Elon Ciko
- Elgerti Bixha
- Kreshnik Tërnova
- Arjola Koromani
- Endri Merkaj
- Si dhe subjektin “Merkaj 3”
Ndërkohë, kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Ergys Agasit, Ermal Beqirit, drejtoreshës së AKSHI, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj Hava Delibashi, si dhe katër personave të tjerë të dyshuar.
Gjatë këtyre kontrolleve, janë sekuestruar materiale, celularë dhe pajisje kompjuterike, të cilat mendohet se do t’i shërbejnë hetimit. Kontrollet kanë përfunduar mbrëmjen e së martës, dhe pajisjet kompjuterike janë dërguar për ekspertim.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se grupi kriminal rrëmbeu për disa orë biznesmenin Gerond Meçe, duke e detyruar atë, përmes kërcënimeve, të hiqte dorë nga ankimet për disa procedura tenderuese. Me ndihmën e drejtuesve të AKSHI, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të tillë që të fitoheshin nga kompanitë e Ermal Beqirit. Dyshohet gjithashtu se grupi ka pastruar miliona euro.
