Apeli lë në fuqi masat për vartësit e Ballukut
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe ai i KESH, Erald Elezi, do të vazhdojnë të jenë në arrest shtëpie, pas vendimit të sotëm të Apelit të GJKKO. Apeli ka vendosur të mos ndryshojë masat e sigurisë për dy drejtuesit, të cilët raportohet se janë në vartësi të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, dhe Gjykata vendosi miratimin e vendimit të shkallës së parë.
Ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me tenderin për Tunelin e Llogarasë, me vlerë 210 milionë euro, si dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Prokuroria e Posaçme kërkon nga Kuvendi heqjen e imunitetit të saj, me qëllim arrestimin.
Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron se Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi, me objekt:
- “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
- “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë 5 vota kundër 3 që të rikthehet në detyrë zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ta kalojë çështjen në seancë plenare, më 22 janar. Në këtë seancë do të thërriten si palë të interesuara Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.
