Sulm me bombë në Jemen: 3 të vdekur, 13 të plagosur

Tre të vdekur, 13 të plagosur nga një sulm me bombë në Jemen

Tre persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me bombë në qytetin jugperëndimor të Jemenit, Taiz. Lajmi u raportua nga agjencia gjermane e lajmeve (dpa), duke cituar burime të sigurisë në rajon.

Një pajisje shpërthyese shpërtheu jashtë selisë së partisë Al Islah në Taiz, një nga qytetet më të populluara nën kontrollin e qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht. Partia islamike Al Islah është një nga organizatat politike më të mëdha në vend.

Të gjitha viktimat ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Jemeni është përfshirë në një luftë civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, morën kontrollin e pjesëve të mëdha të veriut, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa. Arabia Saudite dhe aleatët e saj luftojnë krah për krah me qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht, në një përpjekje për t’i zmbrapsur Huthitët.

Në pjesët jugore dhe lindore të vendit, separatistët – të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe – kontrollojnë një territor të konsiderueshëm, duke detyruar forcat qeveritare të tërhiqen.

Scroll to Top