Prezantohet projekti “Smart City”, Rama: “Syri magjik” identifikon shkelësin në kohë reale! Nuk do të ketë më nevojë për të filmuar policin që nuk përmbush standardin e nxënësit të klasës së parë
Nis zbatimi i projektit për instalimin e një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky nuk do të jetë thjesht një sistem kamerash, por do t’i japë mundësinë Policisë së Shtetit të ketë “syrin magjik”.
Në aktivitetin “Smart City”, Rama theksoi se instalimi i sistemit të sigurisë, përmes kamerave inteligjente, do t’u vijë në ndihmë drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit.
“Ky nuk është projekt kamerash apo mbikëqyrjeje me kamera, apo e trupave të policisë përmes leximit të kamerës kur del nevoja. Ky është projekt që në sekondën kur fillon edhe vihet në jetë rrit në mënyrë eksponenciale kapacitetin policor në kohë reale. Projekt që i jep policisë një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Projekt që ndihmon në mënyrë të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë, për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithëandej.
Kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit, jo identifikim që vjen si rezultat i syve të policisë që ndjek ekranin, por identifikim nga ky sy magjik që e sheh, identifikon, regjistron, shënon dhe e sjell para syve të punonjësit të policisë. Nëse syri i policisë po sheh trafikun e Kavajës, po në atë ekran i shfaqet shkelësi në Myslym Shyri, apo në një rrugë të Kamzës, Durrësit, Beratit, etj. Pra, syri i gjithë këtij sistemi është sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe që mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për të sinjalizuar problemin.
Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë të zbulojnë makinat e paregjistruara, nga drejtoria e transportit rrugor të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione.
Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë, sepse në kohë reale kamera e trupit të një polici që debaton me një qytetar sjell debatin në sallë operative. Është e pamundur që kamerat të fiken e ndizen sipas dëshirës, pasi një kamerë e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër,” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi se ky projekt do t’i ndihmojë duke ua larguar të gjitha hijet tunduese të së keqes. Ai shtoi se kush do të dojë t’i shmanget syrit të policisë për të bërë keq, do të duhet të mbulohet me ferexhe për të dalë në rrugë, ndryshe nuk do të mund t’i shmanget dot.
“Ky projekt ndihmon drejtuesit e ndershëm dhe punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit, duke ua larguar të gjitha hijet tunduese të së keqes. Kush do të dojë ti shmanget syrit të policisë për të bërë keq do të duhet të mbulohet me ferexhe për të dalë në rrugë, ndryshe nuk diktohen dot askund.
Nuk mund të ketë më makina që ikin në drejtime të paditura, bëhet e pamundur, sepse syri ka një rrjet mbulimi që në 20 bashkitë me problematike, me lëvizjet më domethënëse, futet kudo,” tha Rama.
