Aksident në aksin Qafë Plloçë–Qukës: Dy persona të plagosur, shoferi i arrestuar
Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin Qafë Plloçë–Qukës, ku janë përplasur dy automjete. Si pasojë e kësaj përplasjeje, dy persona kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit aktualisht po marrin mjekim në spitalin e Elbasanit dhe, sipas informacioneve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar menjëherë njërin nga drejtuesit e automjeteve të përfshirë në aksident. Ndaj 33-vjeçarit, banues në Pogradec, rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi i policisë sqaron më tej:
- Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin D. Xh., 33 vjeç, banues në fshatin Selcë e Poshtme, Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
- Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor “Qafë Plloçë–Qukës”, në afërsi të fshatit Vërri.
- Shtetasi D. Xh., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një automjet tjetër, me drejtues shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Korçë.
- Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar shtetaset I. S., 45 vjeçe dhe E. M., 24 vjeçe, banuese në Korçë, të cilat ishin pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin A. K.
- Të dyja të lënduarat po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Elbasanit dhe gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
