Ministri Salla: 150 mijë fermerë do të përfitojnë nga fondet e BE-së; do të përditësohet regjistri i fermave
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, gjatë një aktiviteti të titulluar “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, foli për hapjen zyrtare të Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 nëntor. Ky grup përfshin Kapitujt 11, 12 dhe 13, të cilët menaxhohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Salla theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe një transformim dhe modernizim të thellë të sektorit.
Lidhur me Kapitullin 11 dhe Politikat e Përbashkëta Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vihet në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për të krijuar një bujqësi më konkurruese, të qëndrueshme dhe me siguri më të lartë ushqimore.
Ai njoftoi se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane. Për këtë qëllim, në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermave dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.
Ministri Salla u shpreh:
- “Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vihet në qendër. Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.”
- “Për të arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun. Por kjo mbështetje ka kushtëzime. Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.”
- “Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë. Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:”
- “Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë.”
- “Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.”
- “Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, ne do të përshtatim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.”
Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit shqiptarë është përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve. Për këtë arsye, MBZHR po përgatit një paketë ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.
Sipas ministrit Salla, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer problemin e ekonomisë së shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.
Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin. Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, duke forcuar mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat europiane.
Në këtë kuadër, Ministri Salla lançoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma ofron:
- Një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”.
- Një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit.
- Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.
Në përfundim, Ministri Salla u shpreh: “Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare.”
