Berisha paralajmëron protestë masive: “Shqipëria po zien!”

Berisha para protestës: “Ta përmbysim regjimin si në Bangladesh dhe Nepal. Shqipëria po zien!”

Pak orë para fillimit të protestës, ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të planifikuar për në orën 18:00. Sipas tij, ky mision paraqet një mundësi historike për çdo shqiptar.

Berisha deklaroi nevojën për rrëzimin e regjimit aktual, duke sjellë si shembull situatat në Bangladesh dhe Nepal. “Ftoj çdo qytetar të dalë në sheshin e betejës, të vijë në Tiranë. Të bindim çdo shqiptar se një mision i madh na pret. Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes, ashtu si në Bangladesh e Nepal, të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkitin kombet e tyre, largohen si armiq në vende të tjera,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu i bëri thirrje të gjitha forcave opozitare, pavarësisht dallimeve, të bashkohen. “Për të dëshmuar se nuk ka forcë që të na ndalojë për të përmbysur regjimin më të keq që shqiptarët kanë njohur. Tirana po zien, Shqipëria po zien dhe protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi,” shtoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e sotme do të jetë pjesë e një procesi që do të vazhdojë deri në rrëzimin e qeverisë aktuale. Nga selia blu, gjatë një daljeje për mediat, ai theksoi se kryeministri Rama ka bërë përpjekjen e fundit të prokurorëve për të penguar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Së pari, dua të sqaroj se ky është një proces inaugurues në kuptimin që ne zbresim në fushë pasi kemi kryer çdo detyrë, faktuar çdo gjë dhe betuar se do të vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit. Ne e filluam këtë me Foltoren para Kryeministrisë, jo pak ishin ata që e përqeshën. Ajo kishte një mesazh se ai shesh do të jetë i lirisë. Vazhduam në parlament pasi opozitës iu hoq çdo hapësirë kushtetuese. Zbresim në shesh pasi Rama përdori GJK (Gjykata Kushtetuese), organin më të lartë për të firmosur licencë të vjedhjeve të tij dhe të qeveritarëve të tij pa u shqetësuar. Dolëm në shesh pasi Rama bllokoi përpjekjen e fundit të Prokurorisë për heqjen e imunitetit. Këtë proces do ta merrni si një proces që nuk ndalet. Do të jetë një asamblé e tërë dhe do të ndalet vetëm në rrëzimin e Ramës ose shuarjen e opozitës,” tha Berisha.

Scroll to Top