“Bllofi” i Turistëve: Konsumi i Dobët në Verë, Rritje Vetëm 1.25% në Tremujorin e Tretë
Pavarësisht fluksit të turistëve, bizneset vendase raportojnë një konsum të dobët, duke theksuar se mallrat e tyre mbetën stok edhe gjatë kulmit të sezonit veror. Kjo situative lidhet si me tendencën e turistëve për të qenë më kursimtarë, ashtu edhe me tkurrjen e popullsisë vendase si pasojë e emigracionit.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë këtë perceptim. Sipas Institutit të Statistikave, konsumi final i popullatës shënoi një rritje reale prej vetëm 1.25% në tremujorin e tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në kontrast, konsumi final i qeverisë u rrit ndjeshëm, me 7.72%.
Këto shifra nga INSTAT ofrojnë një pamje diametralisht të ndryshme nga të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat lidhen me bilancin e pagesave dhe shpenzimet e të huajve në vend. Sipas Bankës së Shqipërisë, turistët dhe vizitorët e huaj shpenzuan një rekord prej 2.3 miliardë eurosh në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar një rritje prej 21.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për periudhën janar-shtator, shpenzimet e të huajve arritën në 4.4 miliardë euro, me një rritje prej 14.5%.
Rritja e ndjeshme e raportuar nga Banka e Shqipërisë nuk përputhet me deklarimet e operatorëve turistikë, të cilët pohojnë se turistët po shpenzojnë gjithnjë e më pak. Gjithashtu, kompanitë e mëdha shpërndarëse dhe prodhuese raportojnë se kishin tepricë malli për shkak të pritjeve të larta nga turizmi, por u zhgënjyen nga realiteti.
Sipas INSTAT, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i vendit u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë. Megjithatë, të dhënat e detajuara tregojnë se ekonomia reale, pra bizneset, kontribuuan vetëm në 34% të kësaj performance. Pjesa tjetër e rritjes erdhi nga administrata publike dhe taksat neto. Kjo ecuri e dobët e bizneseve shpjegon rritjen minimale të konsumit, veçanërisht në një periudhë kur pritet që ekonomia të marrë një shtysë nga lëvizjet e shumta dhe prania e turistëve gjatë sezonit veror.
Burimi: INSTAT
