Ujësjellësi Durrës: Tender 650 mijë € për ujë në Gjirin e Lalëzit

Furnizimi me ujë në Gjirin e Lalëzit, Ujësjellësi i Durrësit hap tender për zonat me probleme

Ujësjellësi i Durrësit ka hapur një procedurë tenderimi për një investim prej rreth 650 mijë euro, me synim përmirësimin e furnizimit me ujë në disa zona të Gjirit të Lalëzit, të cilat aktualisht përballen me mungesa të theksuara, veçanërisht në pjesën turistike.

Procedura, e çelur këtë të mërkurë, parashikon një projekt “çelësa në dorë”, që do të mbulojë të gjitha fazat, duke filluar nga projekt-idea deri te zbatimi i plotë.

“Projekti ‘Furnizimi me ujë i zonës së Gjirit të Lalëzit’ është hartuar duke u bazuar në nevojën për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me ujë të pijshëm për banorët e zonës, duke përfshirë fshatin Fushë-Draç dhe zonat turistike. Gjithashtu, synohet përmirësimi i kapacitetit dhe funksionalitetit të rrjetit ekzistues të ujësjellësit. Ky projekt ka për qëllim të adresojë mungesat në linjat kryesore dhe ato shpërndarëse, si dhe të garantojë një presion optimal dhe debit të mjaftueshëm në të gjitha pikat kyçe të rrjetit”, thuhet në dokumentet e procedurës.

Gjithashtu, specifikohet se periudha kohore për realizimin e projekt-idesë dhe projektit të plotë të zbatimit do të jetë 30 ditë, duke filluar nga data e lidhjes së kontratës. Ndërkohë, afati për kryerjen e punimeve të ndërtimit do të jetë 5 muaj, duke u llogaritur nga data e lirimit të sheshit të punës.

Në dokumentacionin shoqërues, Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës thekson se kjo ndërhyrje ka si qëllim kryesor sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për popullsinë dhe zonat turistike, nëpërmjet kompletimit dhe rritjes së kapacitetit të rrjetit ekzistues.

Projekti përfshin gjithashtu:

  • Përmirësimin e eficiencës dhe menaxhimit të sistemit.
  • Reduktimin e humbjeve të ujit.
  • Garantimin e sigurisë dhe standardeve të cilësisë së ujit.
  • Rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit për t’iu përgjigjur nevojave aktuale dhe zhvillimeve të ardhshme urbane dhe turistike.
Scroll to Top